23 February 2017

Kronike ne Gur...

 Je dobësuar, - tha gjyshja, - Duhet të shkosh ca ditë te babazoti.
Më pëlqente shumë të shkoja mysafir te babazoti (kështu e thërrisnim gjyshin nga ana e nënës). Më pëlqente, se atje vendi ishte më i qeshur dhe më i butë dhe kryesorja se atje nuk kishte uri si në shtëpinë tonë. Në shtëpinë tonë të madhe, ndoshta nga shkaku i korridoreve, hajateve, musëndrave e kuberave, uria ndihej edhe më shumë. Veç kësaj lagja jonë ishte bojë hiri, me shtëpi të dendura, pothuaj të ngjitura me njëra-tjetrën. Këtu çdo gjë ishte e përcaktuar, e ngulur njëherë e përgjithmonë, qindra vjet më parë. Rrugët, kthesat, qoshet, pragjet e shtëpive, shtyllat e telefonit dhe gjithçka tjetër ishin si të derdhura në gur, në largësi të përcaktuara me centimetra nga njëra-tjetra. Kurse te babazoti çdo gjë ishte e butë dhe e ndryshme. Atje rrugët dhe rrugicat bënin sikur harronin vendin nga kalonin një javë më parë dhe qetë-qetë e pa bujë zhvendoseshin nga e majta apo nga e djathta. Kjo ndodhte, sepse atje asgjë nuk ishte shtruar me kalldrëm, por me tokë të shkrifët. Veç kësaj, toka këtu ishte e rrëshqitshme. Këtu vendi ishte si njeriu: shëndoshej, dobësohei, zbukurohej, vrenjtej, shëmtohej, sipas ndërrimit të stinëve. Kurse lagjja jonë ishte pothuaj indiferente ndaj këtij ndërrimi.
Në pjesën veriore të lagjes kalonte rruga e kalasë, që lidhte lagjet e sipërme të qytetit me qendrën. Rruga ishte shumë lart në krahasim me nivelin e çatisë së dy shtëpive të vetme të lagjes dhe njëherë një kamion që u rrëzua, dëmtoi rëndë hajatin e shtëpisë së babazotit. Nganjëherë qëllonte që rrëzohej ndonjë i pirë dhe çatia pikonte një javë rresht. Po këto ishin gjëra të rralla. Rruga kishte kalimtarë të paktë dhe herë pas here një i vetmuar, i panjohur këndonte me sa zë që kishte në pisk të vapës, tek kthehej nga pazari:
Shtatë sahati i natës
Të shkova te porta.
Zërin ta dëgjova, Meri
Thoshe "më dhemb koka".
Një Merjemeje i dhembte koka vazhdimisht në orën shtatë të mbrëmjes dhe ajo ankohej për këtë gjë. Ishte e thjeshtë, megjithatë më pëlqente shumë kjo këngë. Një këngë të tillë s'do të guxonte ta këndonte askush në lagjen tonë. Po të ndodhte kjo gjë, do të hapeshin përnjëherësh me dhjetëra dritare, gratë dhe plakat do të shkulnin faqet e do të mallkonin dhe më në fund dikush do t'i hidhte ujë guximtarit. Kurse këtu hapësira ishte e gjerë dhe e shkretë dhe mund ta ngrije zërin gjer në kupë të qiellit dhe prapë hapësira, nuk mbushej prej tij. S'ishte gjë e rastit që i panjohuri, porsa dilte në krye të rrugës, ia merrte kësaj kënge. Ai me siguri e bluante atë në kokë gjithë ditën, në pazar, në kafene, në qendër të qytetit dhe me siguri mezi ç'priste sa të dilte te kjo humbëtirë për ta lëshuar zërin sa kishte në kokë.
Në këtë lagje ishin të bukura dhe të pangjashme me asgjë sidomos mbrëmjet. Kur dëgjoja njerëzit që thoshin "mirëmbrëma!", menjëherë më shkonte mendja tek oborri i shtëpisë së babazotit, ku jevgjit, që banonin në odajashtën e shtëpisë, i binin violinës, ndërsa babazoti rrinte në shezlong dhe thithte çibukun e tij të madh e të zi. jevgjit, prej kohësh, nuk kishin me se ta paguanin qiranë e odajashtës dhe, me sa duket, këto koncerte në netët e verës plotësonin deri--diku detyrimin që ata kishin ndaj babazotit.
- Babazot, më dridh edhe mua një cigare, - i thosha me zë lutës dhe ai, pa më folur fare, dridhte një cigare të hollë, ma ndizte dhe ma jepte. Unë ulesha pranë tij dhe thithja me qejf të madh duhanin, pa u trubulluar nga shenjat kërcënuese që më bënin tezet dhe dajat nga gjysmerrësira.
Mendoja se nuk ka lumturi më të madhe në botë sesa, pasi të kesh ngrënë shumë, shumë, të pish duhan dhe të dëgjosh jevgjit, që i bien violinës, duke i mbyllur sytë përgjysmë, ashtu si babazoti.
Kronike ne Gur

No comments:

Post a Comment