08 January 2017

Të pastrehët viktima nga moti keq në Shqipëri



Moti i keq ka rrezikuar jetën e disa dhjetëra të pastrehëve në Shqipëri që enden rrugëve pa familje. Megjithë një operacion të policisë dhe autoriteteve vendore për strehimin e tyre në qendra të përkohshme në Durrës dhe Sarandë janë shënuar dy viktimat e para.Policia i ka gjetur viktimat në gjendje të ngrirë nga temperaturat tejet të ulta gjatë natës. Në Sarandë dy persona të tjerë që jetonin si endacakë u shpëtuan falë ndërhyrjes së një institucioni arsimor,  i cili i  strehoi  ata në një konvikt shkollor gjatë natës. Në disa qytete të mëdha dhjetëra endacakë të tjerë janë shoqëruar në mjedise sociale nga autoritetet  dhe policia.  Avokati shqiptar i Popullit u bëri thirrje Bashkive  të krijojnë me shpejtësi qendra për strehimin e personave në nevojë. Në Gjirokastër një tjetër viktimë  e motit të keq u shënua nga një aksident në një apartament banimi ku në tentativën për të shkrirë ujin në depozitën e ujit një 62 vjecar ra nga një lartësi dhe humbi jetën. Moti i keq po sjell pasoja për jetesën e banorëve  jo vetëm në zonat malore të bllokuara nga dëbora por edhe në qendrat urbane. Bashkitë e kanë të pamundur të sigurojnë lëvizjen në mjaft rrugë për shkak të ngricave dhe akullit  ndërsa në qytete rrjetet e ujit të pijshëm kanë ngrirë duke ndërprerë furnizimin e banorëve me ujë. Problemet në qendrat urbane vijnë sipas specialistëve edhe pasi ndërtimet e viteve të fundit në Shqipër nuk kanë respektuar kriteret e rrjeteve inxhinierike të cilat janë të ekspozuara ndaj temperaturave të ulta. Opozita i bëri thirrje në disa qytete Qeverisë dhe bashkive të vënë në dispozicion të furnizmit me ujë të banorëve mjetet e emergjencave civile dhe të hedhin kripë në rrugë për të normalizuar lëvizjen e njerëzve dhe mjeteve.

No comments:

Post a Comment