23 December 2016

Karanxha reagon per By Pass ne Portalin JUGU News

Nga Vasil Karanxha.
Në qytetin tim, Gjiro¬kastër, ka jetuar në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar, një personazh sa i veçantë, aq edhe enigmatik. Quhej Petro Dralo. Atë do ta gjeje pothuajse çdo ditë te Sheshi i Çerçizit. Qëndronte në trotuar, me orë të tëra, si për t’i bërë karshillëk bustit të heroit, me sytë ngulur te Kalaja e Argjirosë. Kur ndonjë kalimtar e pyeste: Ç’kemi Petro? Ç’do bëjmë me Kalanë? Do të dëgjonte dy përgjigje: Do ta rregullojmë, me punë vullnetare dhe në dimër kur kalaja nuk lejonte diellin të ngrohte sheshin e ngrirë, Petrua shtrëngonte pallton e zezë më shumë pas trupit dhe pa i’a hequr sytë kalasë belbëzonte: “Do ta lëviz, do ta lëviz, do t’i vë rrota”. Kalimtarët në çdo rast buzëqeshnin dhe largoheshin duke e lënë aty në mbretërinë e mendimit të lirë e të çartur. Petro nuk është më, por “flateritë” e tij për të lëvizur kalanë po kujtohen si “profeci” në Gjirokastër për shkak të një projekti të “rregullimit urban” që ndërhyn, veç të tjerash, në tjetërsimin e pamjes dhe në strukturat mbështetëse të kalasë së famshme. Projekti vrasës me dëshirën për të kthyer në këmbësore Qafën e Pazarit të ri, devijon lëvizjen e automjeteve te Sheshi i Çerçizit duke krijuar aty një rrethrrotullim. Kthen mbrapsht qarkullimin dhe duke ngushtuar në mënyrë të shëmtuar hyrjen në shesh (nga krahu i djathtë, do të ngelet vetëm një rrugë më pak se tri metra e gjerë, pra njëkalimshe për hyrjen) detyron qarkullimin të lëvizë në drejtim të lagjes “Pazar i Vjetër” deri ndën Kishën e Mitropolisw nw Pazarin e Vjetwr. Aty realizohet një kthesë 180 gradë dhe fillon ngjitja gjatë shpatit veriperëndimor të kalasë. Prishen dy shtëpi karakteristike të lagjes më të vjetër të qytetit dhe duke u përpjekur me një pjerrësi të palejueshme mbërrin rruga, thuajse ngjitur me godinën e Bashkisë dhe të PS. Këtu janë të detyruar përsëri të kthehen 180 gradë dhe të përfundojnë në një shesh që do të formohet nga bashkimi i kësaj rruge me rrugën e Pazarit të Vjetër dhe të Rrugës së Manalatit. Pasi merr aty kthesën, rruga ndjek atë ekzistuesen të Kalasë për të përfunduar te Bashteja e Teqesë. Rruga do të bëhet me mure të larta nga 10 deri edhe 12 metra, të denja të konkurrojnë me një copë muri nga i Madhi Kinez. Veçse duke parë maketin e studios projektuese do të keni një përfytyrim të pamjes tashmë të shpërfytyruar të Kalasë dhe Lagjes më të vjetër të saj. Të detyruar për të mbrojtur dherat e kësaj faqeje, do të ndërtohen mure të tjera mbi rrugë (me metodën e “protezave”) që i detyron të zhdukin tërë sipërfaqen tani të gjelbëruar dhe ta kthejnë në një faqe të taracuar me mure!! Pjerrësia e madhe, struktura e dobët e terrenit imponojnë të realizohet një rrugë me peshë të lartë. Presioni i dherave mbushëse nën Kullën e Orës së Kalasë, ku rruga është dyfishe dhe pjerrësia arrin maksimumin (pranë godinës së Bashkisë) do të bëjnë që shkarja, deformimi dhe rreziku i rrëshqitjes të jetë gjithmonë në prag të derës. Mos harrohet se nuk luhet më vetëm me godinat mbi apo nën rrugë. Luhet me pasurinë më të vyer të këtij qyteti, me kalanë. Kush e garanton këtë? Kush e merr përgjegjësinë që kjo rrugë do të rezistojë qoftë edhe 30 vitet e ardhshme? Deformimi i mureve mbajtëse nga përvoja e ndërtimeve analoge në Gjirokastër ka për t’u manifestuar që në vitet e para. Rruga ekzistuese e kalasë, vetëm tri metra e gjerë dhe e ndërtuar në formacione më të qëndrueshme se kjo e propozuara, ka gjithmonë rrëshqitje, si rezultat i përbërjes gjeologjike të shpatit dhe presionit gjigant që krijon kalaja impresionuese. Le të stabilizohet zgjidhja për shkarjet e kësaj rruge dhe pastaj le të mendojnë ata të studios projektuese të propozimit të ri për metodat moderne të mbajtjes së dherave, që në Shkallën e Zezë të rrugës nacionale Gjirokastër-Tiranë, janë një dështim i plotë. Aty, sa herë ka rreshje, shpati i malit rrëshqet dhe rruga bllokohet. Në terrene të hapura, ky lloj dështimi edhe mund të falet, sepse mjetet për një kohë të shkurtër e rikthejnë rrugën në normalitet. Por kjo situatë, sikur të ndodhë në mes të shtëpive të banimit (larg qoftë të kemi edhe viktima) përbën vepër penale. Deliri profesional se mund të përdoren metoda moderne të ndërtimeve analoge, me kosto monetare të pesë apo edhe dhjetëfishuara për të ndërtuar gati të pamundurën, pa dhënë as edhe garancinë më të vogël për jetëgjatësinë normale, mos vallë duhet të na kujtojë personazhin tonë në hyrje që desh t’i vinte rrotat kalasë? Ky projekt ka dy qëllime, clirimin nga qarkullimi i kësaj zone dhe kthimin e saj në një zonë të qarkullimit këmbësor. Por siç është projektuar, ai jo vetëm që nuk konservon, por përkundrazi, dëmton pamjen autentike të kalasë dhe të lagjes më të vjetër të qytetit. Shesh historik, pothuajse nuk do të ekzistojë më si i tillë. Kthehet në një rrethqarkullim më shumë se gjysma e tij. Hyrja në shesh zvogëlohet në mënyrë të pakuptimtë dhe shumë të shëmtuar. Duke dashur të rregullojë në një anë, projekti mbingarkon zonën e sheshit, të shpatit të kalasë dhe të vetë rrugës rreth kalasë. Po kush është objekti më me vlerë në Gjirokastër? Kalaja dhe rrethinat: Lagja “Pazar i Vjetër” dhe “Bashteja e Teqesë”. Këto kontradikta themelore mes qëllimit dhe realizimit të projektit s’ka si të mos të të bëjnë për të qeshur dhe për të menduar se me çfarë ngutjeje kanë punuar për të ndërtuar një strategji të re lëvizëse për Gjirokastrën. Por Gjirokastra është shumë e rëndësishme për të gjithë. Ajo përfaqëson një identitet të veçantë që nderon gjithë popullin. Përçudnimi i saj do të ngarkonte me faj këdo që do të ndërmerrte vendime të shpejtuara dhe këdo që nuk do të mbronte këto vlera. Pa shpatet e saj kalaja nuk do të kishte madhështinë që rrezaton prej shekujsh. Mbulimi i këtyre shpateve, aq më tepër me mure të larta që thuajse konkurrojnë vetë kalanë, nuk përbën zgjidhje, por është një zhgarravinë arkitekturore. Një nga kulturat që përçon vizita me këmbë në qytetin e Gjirokastrës është ndërtimi i rrugëve. Gjirokastriti ndërtues ka shfrytëzuar qafat, izoipset dhe në mënyrë të shpejtë ka realizuar kalimin nga një lagje në tjetrën. Në asnjë shpat (faqe) kodre që përbëjnë Gjirokastrën nuk gjejmë rrugë që të fillojë nga fundi dhe me zigzage të mbërrijë në krye. Këtë risi kërkojnë projektuesit e shekullit XXI ta krijojnë dhe ku se? Në zonën që ka ndërtime të shekullit të VII (kulla e Kalasë) dhe të gjithë kompleksit të lagjes “Pazar i Vjetër”. O Zot… fali ata që nuk dinë çfarë bëjnë! Kush fiton nga kjo rrugë? Devijimi (bajpasi) siç dëshirojnë ta quajnë “modernët” bëhet me dëshirën që t’u shërbejë lagjeve “Palorto”, “Partizan”, “Dunavat”. Nga sondazhet që kemi kryer, asnjë banor i këtyre lagjeve, nëse kjo rrugë realizohet nuk ka predispozicion ta përdorë. Për të zbritur në lagjen “18 Shtatori” ose në rrugën kombëtare, këtyre banorëve u shtohet mbi një kilometër rrugë shumë e vështirë (në dimër ngricat janë për shumë ditë dhe të rrezikshme), ndërkohë që tani kanë rrugë alternative. Teqeja dhe Palortoja zbresin nga Rruga e Granicës dhe për tri minuta janë në Kodrën e Shtufit, pranë qendrës së “18 Shtatorit”. Po ashtu, banorët e zonës së Dunavatit do të zbresin dhe ngjiten nga rruga e Zinxhirave. Këto qenë përgjigjet që morëm nga banorët e pyetur. Kjo përbën edhe arsyen e dytë pse thuajse i gjithë opinioni gjirokastrit është kundër këtij devijimi. Atëherë, natyrshëm lind pyetja: kush përfiton prej saj? Për të mos lënë hapësirë për keqkuptim po i përgjigjem vetë. Askush ! As Gjirokastra dhe gjirokastritët dhe as ata që realizojnë këtë investim, qoftë kreditorë e qoftë zbatues të projektit. Dëgjomëni të nderuar miq: Të gjithë jemi të humbur! A ka zgjidhje për devijimin (baypass-in)? Me plot gojën: Po ! Mbushja dhe sistemimi i përroit të Kasit nga Ura e Nanxës deri tek Ura e Zerzebilit, po të mos gabohem, jo më shumë se 400 metra, zgjidh shpejt dhe mirë gjithë lëvizjen që duam të sistemojmë. Njëherësh krijon përmirësim të qarkullimit dhe integron në jetën e qytetit lagjet “Pllakë”, “Pazar i Vjetër”, “Cfakë”, “Manalat” dhe “Dunavat”. Për këtë variant bërtet i gjithë ky komunitet dhe nuk po dëgjohet. Duke parë qëndrimin prej frikacaku të të punësuarve burokratë në institucionet përkatëse lokale, përgjegjëse për zhvillimet në fjalë, të burgosurit e rrogës mujore apo të paaftësisë, të cilët në kafe bëjnë të mirin, por njëherësh dhe viktimën e presionit të njërit apo të tjetrit, natyrshëm më vjen t’ia marr me iso këngës së nënës që qante Selmanin, por me tekstin e përshtatur që koha kërk
on: Argjirokastra e bukur/Kë të qaj më parë/ Njëri i pangopur,/Tjetri thjesht i marrë…

No comments:

Post a Comment