20 November 2016

“Unë zgjedh të jetoj pa dhunë”...


Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare, në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, do të organizojnë aktivitetin me titull: “Unë zgjedh të jetoj pa dhunë” datë 26 Nëntor 2016, ora 11.00 – 12.00, tek Teatri “ Zihni Sako” Gjirokastër. Ky aktivitet organizohet në kuadër të projektit: “Promovimi i ideve inovative për ndërtimin e partneritetit mes burrave dhe grave për barazi gjinore dhe një shoqëri pa dhunë” financuar nga UNDP në Shqipëri. 
Qëllimi i këtij aktiviteti është të promovojë barazi gjinore për gratë me aftësi ndryshe, nëpërmjet një roli të ri më aktiv të burrave. Dy shfaqjet “Talenti, aftësia pa kufi...” dhe “Në kërkim të dashurisë” bazohen në historitë të vërteta të grave me aftësi ndryshe, të marra nga libërthi “Copëza jete: 16 histori të jetëve të grave me aftësi ndryshe”, botim në kuadër të këtij projekti.  Dramatizimi i dy historive të grave me aftësi ndryshe (një histori pozitive dhe një histori negative) është realizuar nga një staf profesionistësh, me pjesëmarrjen e kompozitores Blerina Shalari (historia e saj është pjesë e libërthit).  Ky dramatizim synon të ndihmojë në edukimin e vetë grave të dhunuara me aftësi ndryshe për të denoncuar çdo rast të dhunës ndaj tyre dhe për njohjen e zgjidhjeve të mundshme dhe së dyti, në ndërgjegjësimin e gjithë shoqërisë për problemin e dhunës në familje dhe nevojës që të gjithë anëtarët e saj të luajnë një rol aktiv kundër dhunës ndaj grave dhe në veçanti kundër dhunës ndaj grave me aftësi ndryshe. Në këtë aktivitet janë parashikuar të marrin pjesë personalitete, shoqëria civile dhe persona me aftësi të ndryshme dhe familjarët e tyre.

No comments:

Post a Comment