22 November 2016

Nis në Gjirokastër Trajnimi Ndërkombëtar për Shpëtimin e Trashëgimisë Shpirtërore në Rrezik

28 profesionistë të rinj të muzeve dhe trashëgimisë nga Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Bjellorusia, Egjipti, Gjeorgjia, Irani, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia, po marrin pjesë në një trajnim tri-javor mbi ruajtjen dhe shpëtimin e koleksioneve muzeale, siteve të trashëgimisë dhe trashëgimisë shpirtërore në situata katastrofe.
“Trajnimi Ndërkombëtar Mbi Menaxhimin e Rrezikut për Trashëgiminë Kulturore në Rast Katastrofe” organizohet nga tri zyrat e organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë. Trajnimi ka filluar në Sarajevë, në Muzeun Kombëtar të Bosnje-Hercegovinës, vijoi në Prishtinë, dhe java e tretë dhe përmbyllëse po mbahet në Gjirokastër në datat 21 nëntor – 27 nëntor.
Programi gërsheton ligjërata nga lektorë rajonalë dhe ndërkombëtare me ushtrime praktike që reflektojnë situata katastrofash për të testuar dijet e pjesëmarrësve. Qëllimi i trajnimit është që profesionistët e trashëgimisë të mësojnë aftësi praktike për mbrojtjen dhe shpëtimin e koleksioneve muzeale, siteve të trashëgimisë dhe të trashëgimisë shpirtërore para, gjatë dhe pas një katastrofe.
Në javën e tretë të trajnimit, pjesëmarrësit po studiojnë mënyra të ndryshme dhe strategji për ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore. Disa nga temat më të rëndësishme që do të diskutohen janë: vlerësimi i rrezikut për trashëgiminë kulturore shpirtërore, rëndësia e dokumentimit të kësaj trashëgimie etj.
Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet temës përmes një paneli, që mbahet ditën e premte, ku do të bëjnë pjesë specialistë ndërkombëtarë të trashëgimisë kulturore, të emergjencave civile dhe donatorë.

No comments:

Post a Comment