22 October 2016

Monitor: kanabisi qe po shkaterron bujqesine

Fermerët: Hashashi përveçse po dëmton bujqësinë, po shkatërron të rinjtë

22/10/2016 8:03 AM 0 KOMENTE
Hashash  pervoja
Nëse kultivimi i hashashit do të vazhdojë me ritmet e këtij viti, ky vend ka marrë fund, shprehet Dritan Sula nga Shoqata e Fermerëve ‘Agrogren Life’ nga Qarku i Beratit. Sulaj thotë se më e keqja e të gjithave janë efektet negative që ka kultivimi i kësaj bime te të rinjtë. Të joshur nga fitimet e larta që sjell bima e hashashit, rinia jo vetëm që nuk nxitet të punojë dhe të profilizohet në sektorë të tjerë përveç bujqësisë, por po lë edhe mësimet. Ka shumë gjimnazistë që kanë braktisur shkollën dhe punojnë në parcelat e hashashit. Nëse bima do të kultivohet me intensitetin e këtij viti edhe në vijim, pasojat do të jenë shumë rënda në njerëz, ndërsa bizneset serioze të bujqësisë do të konkurrohen nga ky lloj biznesi. Qysh këtë vit, disa ferma janë vënë në vështirësi për të punësuar punonjës të përkohshëm me pagesë pasi, oferta për të punuar në kultivimin e hashashit ka qenë më joshëse, tha Sula. Fenomeni po i dekurajon investitorët e rinj të bujqësi dhe sidomos ata që e kanë të lidhur jetën me fshatin. Më shumë mundësi, shpjegon ai, nëse hashashi do të mbillet si këtë vit, fushat do të mbeten djerrë pasi gjithkush do të mund të ndjekë leverdinë e momentit, por më shumë kosto.
Lutfi Çela nga Shoqata e Fermerëve në Postribë të Malësisë së Madhe tha se kultivimi i hashahit po ndikon negativisht zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë tradicionale në zonë. Çela thotë se fuqia punëtore nuk është e motivuar për të zhvilluar kulturat bujqësore tradicionale. Sipas tij, krahu i punës në bujqësi po bëhet më i shtrenjtë pasi kultivimi i hashashit për momentin jep pagesa më të larta se puna në sera perimesh, pemëtari dhe blegtori. Çela tha se gjithashtu janë kufizuar kullotat për bagëtinë dhe blegtorinë, të cilat shquhen për cilësinë e mishit dhe të bulmetit. Do të ishte shumë më mirë që tokat dhe bjeshkët të ishin kullota për blegtorinë siç kanë qenë jetë e mot e jo të mbillen hashash tha Çela, duke komentuar se, kultivimi i bimës së hashashit është duke i krijuar një dëm serioz bujqësisë së qëndrueshme në vend.
Gjon Gjoni nga Komuna Kthellë e Qarkut të Lezhës tha se kultivimi i hashashit e ka zhvendosur dukshëm vëmendjen për të kultivuar perime në fushë. Ai tha se, fitimet nga hashahi janë më të larta se sa në bujqësi por vuri në dukje se kjo bimë është duke dëmtuar fëmijët. Të rinjtë po e pinë pa asnjë kontroll dhe gjithnjë e më pak po bëhen të dëgjueshëm, tha Gjoni.

No comments:

Post a Comment