23 September 2016

Letra e shkencetareve per Ramen,por ne Shqiperi nuk degjohen qytetaret e jo me shkencetaret...


Teksti:  BIRN Shqiperi

228 shkencëtarë nga vende si Austria, Gjermania, Shtetet e Bashkuara, Italia, Sri Lanka, Hungaria, Spanja, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar, Çekia etj nënshkruan memorandumin e shkencëtarëve dhe mjedisorëve, të cilën ia dërguan të mërkurën kryeministri shqiptar Edi Rama.
Ata iu bashkangjitën listës së mëparshme të qershorit 2016 me 50 studiues shqiptarë.
Të njohur si miqtë e Vjosës, kërkesat kryesore të rreth 300 shkencëtarëve dhe mjedisorëve janë moratoriumi 3-vjeçar i ndërtimit të hidrocentraleve në lumin Vjosë dhe në degët e saj; realizimi i një vlerësimi të ndikimit në mjedis gjatë periudhës 3-vjeçare; si dhe një hulumtim sistematik dhe vlerësim i detajuar i lumit Vjosë nga shkencëtarët shqiptarë dhe të huaj.
Firmëtarët e memorandumit iu zotuan kryeministrit Rama në letrën e tyre të sigurojnë fondet për programin kërkimor ndërdisiplinor 3-vjeçar.
“Pellgu ujor i Vjosës – në gjendjen e tij të ndikimit të pakët antropogjen – mund të shërbejë si një strehë natyrore në shkallë të gjerë dhe si një laborator më rëndësi për mbarë Europën.”
“Për shkak të vazhdimësisë së pashqetësuar lumore, të transportit të sedimenteve dhe morfo-dinamikës lumore, si dhe të biodiversitetit të tij të veçantë, Vjosa përbën një sistem ndërkombëtar model, të veçantë për dinamikën e ndërlikuar morfologjike dhe biologjike të korridoreve lumorë, për studime që ndihmojnë në bashkë kalibrimin e vlerësimit të ndërhyrjeve në lumenj, dhe mund të shërbejë si një vend krahasues ndërkombëtar për kërkime mbi ndryshimin e klimës”, shkruhej në memorandumin e shpërndarë nga RiverWatch, EuroNatur dhe EcoAlbania.
Shkencëtarët argumentuan se moratoriumi do të lejojë kryerjen e studimeve mbi ndikimin në mjedis, hartimin e programeve gjithëpërfshirëse në Vjosë dhe eksplorimin e mundësive të financimit nga BE të zhvillimit të qëndrueshëm të rajonit.

No comments:

Post a Comment