23 September 2016

Sepata mbi pyje


Sëpatat” mbi shërbimin pyjor më të rënda se “sëpatat”  mbi pyjet
Alban Matushi

Moratoriumi për pyjet dhe “sëpata”  mbi burimet njerëzore
Në shkurt të këtij viti hyri në fuqi një moratorium 10-vjeçar i pyjeve,  i cili nuk  lejon më  veprimtari të shfrytëzimit të lëndës drusore në fondin pyjor publik dhe privat  si  dhe  ndalon  eksportin  e lëndës së drurit të papërpunuar, lëndës së ndërtimit, drurëve të zjarrit si dhe  qymyrit të drurit. Moratoriumi vjen në një kohë kur  pjesa më e madhe e pyjeve i ka kaluar “de jure”  njësive të qeverisjes vendore por “de facto” ato  janë krejtësisht të  papërgatitura të menaxhojnë këtë sektor  dhe problematikat komplekse të tij. Strukturat e reja që po miratohen nga Bashkitë e reja në të gjithë vendin janë tejet të cunguara në raport me nevojat e këtij shërbimi, i numërojnë me gishta specialistët e pyjeve dhe pjesa dërrmuese e tyre janë jashtë profilit. Krahas burimeve njerëzore një problem kompleks mbartet me bazën dokumentare e cila është ende e “dyllosur’ në godinat e Shërbimeve Pyjore kur  duhet t`i kishte kaluar bashkive. Në një konfuzion ligjor dhe me burime të vogla njerëzore pa arsimin përkatës , pa një inventar pyjesh, pa një situatë të qartë të kadastrës pyjore dhe me konflikte të mëdha në terren sidomos për kullotat , pa asnjë mjet transporti dhe logjistikë , njësitë vendore ndoshta do të përballen me sfidën më të vështirë këtë vit në menaxhimin e pyjeve. Dhe kjo jo vetëm në zbatimin e moratoriumit, por edhe në prerjet e kontrolluara për dru zjarri, mbrojtjen dhe ndërhyrjet në raste  zjarri, lidhjen e kontratave për shfrytëzimin kullosor etj. Kleanthi Mandi ,një inxhinier i vjetër i pyjeve ka bërë një përllogaritje të numrit të specialisëtve që duhet të ketë në Qarkun e Gjirokastrës bazuar në Ligjin e ri për pyjet. Ky Ligji i përcakton kriteret teknike për rekrutimin e nëpunësve, në funksion të sipërfaqes. Kështu një nëpunës për 750 – 1000 ha  për pyjet e lartë; një nëpunës për 1500 – 2500 ha për pyjet e ulët dhe shkurret dhe një nëpunës për 4000 – 6000 ha, për kullota dhe livadhet. Sipas zotit Mandi në Qarkun e Gjirokastrës që përfshin 265 fshatra me 159,500 banorë  nevojiten për rreth 161.013 ha pyje plot 49 specialistë.Bashkia e Gjirokastrës dhe Dropullit do të duhet të kenë mbi bazë të sipërfaqeve pyjore  nga 8 specialistë,  ndërsa Bashkia e Tepelenës do të duhet të ketë 11 specialistë. Kryetari i  Bashkisë së Tepelenës Tërmet Peçi  thotë se struktura e vitit 2016 e Bashkisë së Tepelenës  përfshin vetëm një specialist për këtë sektor . Ai thotë se është në pritje të daljes së të akteve të reja për zbatimin e  Ligjit të ri për Shërbimin Pyjor pasi me një person është  e pamundur që bashkia të përballojë  shërbimin në këtë rreth të njohur me ngarkesën e problemeve me zjarret dhe kullotat  dhe me terrenin e thellë të  zonave natyrore të mbrojtura. Një tjetër Bashki,ajo e Dropullit, e cila administron zona pyjore  që rrezikohen sidomos nga zjarret buzë kufirit me Greqinë  ka vetëm një specialist nga tetë që duhet të kishte. Federatat e Pyjeve , organizma të pavarur joqeveritarë ,në disa rajone të Shqipërisë,  po shohin me shqetësim se bashkitë e reja që dolën nga zgjedhjet e vitit të shkuar nuk po shkojnë në mbarë vendin drejt rekrutimit të inxhinierëve  dhe teknikëve të pyjeve në këta sektorë. “Bashkia e Korçës  nuk po thërret inxhinierët e pyjeve”,   tha inxhinieri i vjetër i Federatës së pyjeve në  këtë rajon Kristaq Shore.
Sëpata e viteve të fundit  mbi shërbimin pyjor
“Sëpata”  siç është ndier në pyje është ndier  vitete fundit në mënyrë dramatike dhe në burimet njerëzore në këtë sektor. Nga 1247 punonjës që kishte organika e Ministrisë së Mjedisit,Pyjeve dhe Ujrave  në vitin 2015 për vitin 2016 ajo  ka zbritur në 959 me plot 288 shkurtime. Një Raport për   vlerësimin e gjendjes së pyjeve 1990-2014 përgatitur nga  Qendra Rajonale e Mjedisit , REC vëren  se një “ fragmentim kompetencash  në vijimësi viteve të fundit u shoqërua me veprime në  kundërshtim me rregullat e përcaktuar, veçanërisht në strukturat e DSHP-ve të  rretheve”. “Në postin drejtues të tyre, vëren raporti, emërimet dhe lirimet nga detyra, bëheshin pa  marrë në konsideratë karrierën dhe eksperiencën profesionale. Raporti shpreht se  rastet më flagrantë ishin zëvëndësimet e drejtuesve specialistë, me persona pa arsimin pyjor, ndërkohë që në strukturat  e shërbimit pyjor, mungonte pozicioni i kryespecialistit. “Veprime të tilla zbritën edhe në nivelin  e specialistëve, një pjesë e të cilëve me eksperiencë të gjatë apo të trajnuar, e deri në nivelin më të ulët, atë të inspektorëve  të zonave pyjore “, thuhet në raport. “Fenomeni, sipas Raportit “Pyjet dhe Tranzicioni” pësoi rritje të ndjeshme në vitin 2006, pas kalimit të sektorit të  pyjeve në strukturat e dikasterit dhe përmasat më të mëdha i mori në muajin shkurt 2014, me miratimin e strukturave dhe organikave të DSHP dhe ISHMPU, krahas shkurtimit drastik të numrit të punonjësve.  “Në strukturat e DSHP-ve, me 244 pozicione pune për specialistë  pyjesh, në 96 prej tyre u vendosën persona pa arsimin  pyjor, ose 39 % e numrit total, ndërsa së  bashku me rojet mjedisore, numri i pozicioneve arrinte në 346 dhe numri i personave të emëruar pa arsimin përkatës, ishte  156, ose 45 % e numrit total. “ Më e rëndë  situata ishte në Degët Rajonale të ISHM PU, (sektorët e Policisë Pyjore), me 126 pozicione pune, ku u emëruan  93 punonjës pa arsimin pyjor,ose 74 % e numrit total” citon raporti të dhënat e mbledhura nga shërbimet pyjore. Specialisti  i njohur i pyjeve Kolë Malaj duke parë gjendjen dramatike  në dhjetor të vitit 2015 i dërgoi një Letër të hapur deputetëve të Parlamentit shqiptar në prag të një diskutimi të Ligjit të ri për Pyjet. Në letër ndër të tjera vlerësohej se  në nivel kombëtar në  vitin 2010, në numrin  total të  punonjësve të pyjeve, prej 1.121 vetë, 807 vetë ose 72 % ishin specialiste pyjesh, të lartë dhe të mesëm dhe 314 vetë, ose 28 % ishin personel mbështetës, Në strukturat e sotme Inspektoriali i Policisë Pyjore, ka rreth 126 vetë, nga të cilët vetëm rreth 30 vetë, ose rreth 26 % janë me arsim pyjor, pjesa tjetër, rreth 74 %, nuk kanë asnjë lidhje me pyjet apo arsimin pyjor, velrësonte në letrën e tij zoti Malaj. Ai u shkruante parlamentarëve se në total, numri i punonjësve të menaxhimit të pyjeve e kullotave dhe i Inspektoriatit të Pyjeve në 2015, arrin  në 592 vetë, nga të cilët 223 punonjës ose rreth 38 % janë me arsim pyjor dhe 369 % të tjerët, ose 62 %, janë pa arsim pyjor”. “Për më tepër dhe të pa arsimuar fare , shkruante,  zoti Malaj. Cështja e Ligjit të  Pyjeve dhe sëpatës mbi burimet njerëzore  zbriti në 19 janar edhe në Komisionin Parlementar të Veprimtarive Prodhuese. Deputeti  i opozitës Kozma Dashi e velerësoi si një  problem shumë të  nxehtë cështjen e burimeve njerëzore.  “Nga konstatimet tha ai në komision  në vitin 1990 kishim 1810 punonjës në administrimin e pyjeve, në vitin 2013 janë marrë masa  dhe janë hequr 900 e ca inxhinierë dhe teknikë pyjesh. Aktualisht kemi 293 punonjës  lokalë dhe 7 në qendër për të administruar të gjithë këtë fond prej 1 milion e 700 mijë hektarësh” dekalroi zoti Dashi. “Me një të rënë të lapsit të hiqen këta njerëz dhe ne të pranojmë automatikisht që jemi të dorëzuar se nuk ka kush t’i menaxhojë pyjet, u shpreh ai. Por  Ministri i  Mjedisit Lefter Koka u tha  deputetëve në Komision: ”Nuk është që Ministria e Mjedisit apo qeveria shqiptare shkurtoi numrin e  punonjësve. U bë ndarja dhe vendimi për të ndarë inspektoratin dhe për të krijuar Agjencinë Kombëtare të Mjedisit . Ka qenë vendim i marrë në vitin 2005 dhe nuk është respektuar për 8 vjet”. Zoti Koka argumentoi se nëse ishin 32 drejtori shërbimi pyjor dhe brenda tyre kishin qoftë punonjës të zonave  të mbrojtura, qoftë punonjës të inspektimit, ata që bënin menaxhimin ishte një strukturë, e  cila nuk mund të konsiderohej funksionale. Me këtë hap Zoti Koka lidhi ndarjen  e Inspektoratit  të Agjencisë Kombëtare dhe të  menaxhimit të pyjeve. “Numri është po ai, u shpreh Ministri i Mjedisit.duke ua kaluar përgjegjësinë e rekrutimeve bashkive që do të përgjigjeshin me Ligjine ri të Pyjeve  edhe për burimet njerëzore.  “Çfarë ndodh me risinë që shkojnë pranë bashkive? Ne paracaktojmë me ligj, sipas  sipërfaqeve, nevojën e domosdoshme që duhet të ketë një bashki dhe sipas profesioneve.  Nga ana tjetër, bashkive apo kryetarëve të tyre, sipas të ardhurave që krijojnë, u  lihet e drejta të menaxhojnë pyjet. Për herë të parë janë vendosur kritere për sa i përket administratës tashmë të Drejtorisë së Shërbimit Pyjor që do të jetë pranë bashkive, ku janë inxhinierë pyjorë, të ndarë  këto në varësi të sipërfaqeve të pyjeve dhe të numrit të populates.” Por pak muaj larg fillimit të sezonit të zjarreve vetëm në Qarkun e Gjirokastrës 7 bashkitë nuk numërojnë as 7 specialistë  pyjesh nga 49 që duhet të kenë dhe nuk kanë asnjë drejtori më vete apo sektor që do të trajtonte problematikat komplekse në menaxhimine pyjeve. Shteti i lau duart duke ia kalur bashkive , bashkitë në të gjtihë vendin  po i lajnë duart duke emëruar militantë partiakë dhe duke i lënë teknikët dhe inxhinierët e vjetër të pyjeve  në rrugë.

 “Sëpata’  mbi buxhetin e shtetit për shkarkimet
Largimet dhe lëvizjet e shpeshta të drejtuesve dhe të specialistëve si në qeverisjen e demokratëve edhe atë të socialistëve tani në pushtet ,  përgjithësisht kanë qënë të pamotivuara.  Vetëm për  dhe periudhën janar  2015 - mars 2016 , sipas të dhënave të Thesarit të Ministrisë së Financave janë kryer për shpenzime të vendimeve gjyqësore për shpërblimin e vendimeve për  shkarkime të padrejta nga puna  nga Ministria e Mjedisit  145 transaksione   me vlere 109,236,563.00 lekë.  Sipas  portalit joqeveritar “Open Data Albania”  per vitin 2014 numri i transkasioneve të kryera nga Ministria e Mjedisit po për shkarkimet e padrejta nga puna në sektorët e saj ishte më shumë , 201 transaksione gjithësejt ,  me rreth   301,355,707.00 lekë. Por pasojat buxhetore të  vendimeve gjyqësore  pritet të jenë shumë më të mëdha pasi shumica  e padive ende nuk janë trajtuar në Gjykatën  Administrative të Apelit dhe shumë nga personat e dëmshpërblyer kanë marrë vetëm njërin nga këstet e shpërblimit. Kështu sipas të dhënave të vetë Gjykatës disa qindra  punonjës të tjerë, të cilët i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Apelit për zgjidhjen e konflikteve të pushimit nga detyra janë ende në pritje. Vetëm gjatë vitit 2014, në Gjykatën Administrative të Apelit  janë depozituar 5199 çështje nga personat e shkarkuar nga puna nga administrata qendrore apo lokale përgjatë viteve 2011-2013. Në këtë numër përfshihen edhe  punonëjsit pjesë e sektorit të pyjeve dhe mjedisit  Në të njëjtin vit,  Gjykata e Apelit  Administrativ  vendosi  pro të shkarkuarve në 969 raste,  pushoi  34 padi dhe  ndryshoi  616 vendime të gjykatave të shkallës së pare. Ndërsa qeveria dhe opozita kanë publikuar  të dhëna krej të ndryshme për përmasat e shkarkimeve  një material i Avokatit të Popullit tregon se në periudhën shtator 2013-maj 2015 janë larguar 4093 punonjës në mënyrë të paligjshme nga administrata publike.  Sipas raportit 1021 punonjës  prej të larguarve kishin statusin e nëpunësit civil, ndërsa 3072 të tjerët trajtoheshin sipas dispozitave të Kodit të Punës. Ministria e Mjedisit sipas Avokatit të Popullit, mbante  vendin e parë për numrin e lartë të shkarkimeve  dhe kjo për shkak të shkurtimit  të vendit të punës si pasojë e ristrukturimeve që ndodhnine herë pas here.  Ndërsa  “Raporti  Pyjet dhe Tranzicioni”  vlerëson se lëvizjet në administratën pyjore  nuk kanë ndodhur për shkak të paaftësisë ose të mos kryerjes së detyrës, por vetëm për shkak  të konjukturave dhe rotacioneve politikë, në emër  të “reformave” edhe kur sekt ori i pyjeve nuk ishte pjesë  e dikasterit. Raporti është mjaft krtike me sjelljet e partive me administartën publike dhe atë pyjore në vecanti.” Motivi i vetëm ka qënë përkatësia partiake. Praktika të tilla militantizuan administratën dhe u shoqëruan me ndikime e pasoja shumë serioze, sepse instaluan mungesën e profesionalizmit, rritën nivelin e paaftësi së së strukturave, stimuluan papërgjegjshmërinë ndaj detyrës, favorizuan veprime abuzive, të kundërligjëshme e korruptive, instaluan pandëshkueshmërinë për mos kryerjen e detyrës dhe ndaj veprimeve  abuzive, të kundërligjëshme e korruptive, thuhet në raport.  

Pak histori…dhe sëpata mbi ligjet

Për  ironi të fatit që në  vitin 1966,  kur u krijua për herë të parë Ministria e Pyjeve dhe Ujrave jetoi vetëm  6 muaj si Ministri  pasi  më pas funksionoi si Drejtori e Pyjeve dhe kullotave pranë Ministrise së Bujqësisë. Një vit më vonë, në 1967,  do të krijoheshin në 26 rrethet e vendit Drejtoritë Pyjore që do të funksiononin deri pas viteve nëntëdhjetë . Këto drejtori  do të ruheshin deri vitin e shkuar   ndonëse gjatë periudhës së tranzicionit do të  ‘heshtnin” për shumë shkelje flagrante në pyje dhe do të prekeshin nga shkurtime apo “sëpatat” politike sa herë ndërroheshin pushtetet. Gjithmonë sektorët e pyjeve  si para viteve nëntëdhjetë edhe pas viteve nëtëdhjetë do ankoheshin për burimet njerëzore dhe pakkush nga qeveritë do ti dëgjonte.  Në vitin 1976  Drejtoria  e Përgjithshme e Pyjeve do të numëronte vetëm  6 vetë ne qendër. Gati  13 vjet më vonë ,në vitin 1989 , ky numër do të rritej vetëm me tre vetë duke shkuar në   nëntë. Pas viteve nëntëdhjetë me strukturat dhe burimet njerëzore do të luhej me ligje e akte që I ndërronin kopetencat e  emërimeve  . Raporti “Pyjet në Tranzicion”  vlerëson se “pas vitit 1992 e deri në fillim të vitit 2006, institucioni përgjegjës për pyjet ka qënë pjesërisht i pavarur. “Nëse për menaxhimin e burimeve financiare institucioni kishte  pavarësinë e nevojëshme, për menaxhimin e burimeve njerëzore, nuk kishte  kompetenca të mjaftueshme thuhet në Raport.  Raporti i referohet  përcaktimeve tek  akte ligjorë  e nënligjorë, që kufizonin kompetencat e tij.  Duke marrë sin shembull kushtet e pranimit në Policinë e Shërbimit  Pyjor Raporti pohon se  të drejtën për të  punuar në këtë strukturë, e kishin të gjithë shtetasit shqiptarë  që plotësonin disa  kushte dhe së pari, të kishin përfunduar arsimin e lartë ose të mesëm, në  në profilin e  të cilët përbënin efektivët oficerë dhe nënoficerë. Vendimin për emërimin dhe lirimin e tyre nga detyra,e kishte drejtoria e shërbimit pyjor e rrethit, ndërsa për drejtuesit e DSHP-ve, megjithëse të pa përrcaktuar në ndonjë akt, e merrte ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit. Drejtori i Përgjithshëm nuk kishte asnjë kompetencë për personelin e DSHP-ve të rretheve, por kishte të drejtë të emëronte dhe lironte nga detyra vetëm drejtuesit dhe specialistët e DPPK. Me riorganizimin e institucionit në vitin 2000, Ministri mori të drejtën për emërimin dhe lirimin e drejtorëve të institucionit qendror dhe të drejtorive rajonale, mbi bazën e propozimeve të Drejtorit të Përgjithshëm, ndërsa këtij të fundit, ju dha e drejta  për të gjithë punonjësit në nivel vendor. Megjithë përmirësimet e bëra me ligjin e vitit 2005, përsëri titullari i dikasterit, mori të drejtën për emërimin e drejtorëve të drejtorive të DPSHP, e drejtë kjo në kundërshtim me pikën 4, të nenit 7,të këtij ligji, sipas së cilës“...kriteret dhe përgjegjësia për emërimin, lirimin dhe shkarkimin e punonjësve caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.  Një fazë dramatike në emërimet politike ndodhi kur e drejta e propozimit për emërimin dhe largimin nga detyra të drejtuesve të strukturave në nivelin vendor, por në varësi të institucioneve qendrore, ju njoh edhe prefektit.  Drejtori i Përgjithshëm, bazuar në propozimin e Prefektit, emëronte drejtorët e DSHP-ve, e më vonë të Drejtorive Rajonale dhe me propozimet e tyre, emëronte dhe lironte nga detyra të gjithë personelin e shërbimit pyjor,të strukturave rajonale.

No comments:

Post a Comment