26 August 2016

Shën Nënë Tereza Bojaxhiu në 106-vjetorin e lindjes, dashuri pa kufi për çdo njeri

Shën Nënë Tereza Bojaxhiu në 106-vjetorin e lindjes, dashuri pa kufi për çdo njeri 
Në këtë përvjetor të lindjes së saj, urimet e Presidentit të Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, imzot Angelo Massafrës

Me mirënjohje të thellë ndaj Zotit dhe emocion të veçantë sot përkujtojmë të Lumen, madje tani, në pragun e Shenjtërimit më 4 shtator të ardhshëm, mund ta quajmë edhe zyrtarisht Shën Nënë Terezën, Ganxhe Bojaxhiun, në 106 vjetorin e lindjes, shërbëtoren e madhe të të varfërve, të Kishës, të Shqiptarëve e të njerëzimit mbarë që e shndërroi botën me buzëqeshjen e saj.
Pra, si sot, 106 vjet më parë lindi e Shën Nënë Tereza, dhuratë tejet e çmueshme për botën dhe dishepulle e vërtetë e Krishtit.
Jeta dhe dëshmia e kësaj ikone të vërtetë të dashurisë së Krishtit, së cilës pikërisht sot i kremtojmë 106 vjetorin e lindjes, janë një ftesë për të gjithë Kishën e mbarë njerëzimin që t’i shërbejmë me besnikëri Zotit në njerëzit më të varfër ndër varfër, njerëzit më nevojtarë.
E mënyra më e mirë për të kremtuar e uruar 106 vjetorin e Lindjes së Nënës sonë të dashur, Ganxhe Bojaxhiu, është të vazhdojmë ta ndjekim dhe imitojmë shembullin e saj, e të jemi gjithkund mjete të dashurisë hyjnore.
E sot me rastin e 106 vjetorit të lindjes të Nënë Terezës, në të gjithë botën zhvillohen kremtime e aktivitete të ndryshme për të kujtuar Nënën e të varfërve, Lapsin e Zotit. Në Kolkatë (Kalkuta e dikurshme) të Indisë, qindra njerëz shkojnë të luten në shtëpinë e motrave të Bamirësisë dhe presin ditën shenjtërimit të Nënë Terezës. Në agim, një procesion me qirinj dhe një Meshë kujtuan murgeshën e vogël shqiptare.
“Fryti i heshtjes është lutja. Fryti i i lutjes është feja. Fryti i fesë është dashuria. Fryti i dashurisë është paqja. Veprat e dashurisë nuk janë tjetër veçse vepra paqeje. Gjërat e vërteta lindin nga heshtja!”  Janë këto vetëm disa nga thënien e Shën Terezës Bojaxhiu.
Po kujtojmë se Nënë Tereza ndodhej në Indi si drejtoreshë e një shkolle të Kongregatës fetare (rregulltare) të Motrave të Loretos, kur në Kalkutë zbulon dramën e heshtur të të varfërve, të moshuarve, të grave e të fëmijëve, që të braktisur nga kjo botë, vdisnin në rrugët e indiferencës.
Nënë Tereza e dëgjon zërin e Jezu Krishtit që i thotë: “Lëre kuvendin e shko të ndihmosh të varfrit, jeto me ta, ndër ta e si ata”. Bindet: shkon të jetojë në mes të barakave e plehrave dhe fillon të mbledhë më të dëshpëruarit e të dëshpëruarve, sidomos lebrozët. Aty ku të tjerët shihnin veç dhimbje e dështim, ajo sheh fytyrën e Krishtit. Por si mund t’i përgjigjet thirrjes së Zotit, ku gjendet forca për të thënë “po”?
Nënë Tereza thotë: “Duke e lënë veten në dorë të Krishtit, por edhe nëpërmjet një dashurie të thellë e delikate për Jezusin, sidomos në Eukaristi, në Meshë e në Adhurim”. “Vëmendja ndaj të tjerëve – thotë misionarja – është fillimi i shenjtërisë”.
Nënë Tereza kujdeset për njeriun veç e veç, jo për turmën. Qëndron me të varfërit, por di t’u drejtohet edhe të pasurve, në të cilët shpesh sheh dëshpërimin: “të varfërit e Kalkutës – pohon ajo – nuk kanë asgjë, por besojnë akoma në diçka; ndërsa ata që kanë shumë pasuri, duket sikur nuk besojnë më në asgjë”. Flet kundër çdo lloj dhune: nga lufta tek aborti. “Nëse nuk e doni fëmijën – u thotë nënave që duan të abortojnë – ma jepni mua: mos e vrisni! Sepse derisa të ekzistojnë nëna që shkatërrojnë jetën e fëmijëve që në kraharor, rruga e vrasjeve dhe e luftës mbetet gjithnjë e hapur”.
Mesazhi i saj është i thjeshtë: dashuria e shpallur nga Jezusi në Ungjill. “Jezusi erdhi të na sjellë Lajmin e Mirë se Zoti na do e se duhet ta duam njëri-tjetrin, ashtu si Ai na do ne. Për këtë Ganxhe Bojaxhiu pati thënë: “Çdo gjë që e bëni për nevojtarët e keni bërë për mua. Nëse keni dhënë një gotë ujë në emrin tim, ma keni dhënë mua. Nëse keni mirëpritur një fëmijë në emrin tim, më keni pritur mua”. E kur të vdesim e të kthehemi tek shtëpia e Zotit, sërish do të dëgjojmë Jezusin që thotë: “Ejani ju të bekuar nga Ati im, sepse kur pata uri më dhatë të ha. Isha i zhveshur e më veshët, Nuk kisha shtëpi e më pritët në shtëpinë tuaj. Isha i sëmurë e në burg dhe erdhët të më shihni. Ejani dhe merrni në dorëzim Mbretërinë që është përgatitur për ju”.
Nënë Tereza na tregon se ku e ka fillimin dashuria?! “Në familje. Si fillon? Duke u lutur së bashku. Familja që lutet së bashku, mbetet e bashkuar. E nëse ju do të mbeteni të bashkuar do ta doni njëri-tjetrin, ashtu si Jezusi ju do. Çojeni pra lutjen, gëzimin, dashurinë dhe paqen në familjet tuaja e kështu do të rriteni në shenjtëri”. Sipas Nënë Terezës, “shenjtëria nuk është luks për pak vetë, është një bukuri e thjeshtë, sepse Jezusi ka thënë: ““Qofshi të shenjtë, ashtu si Ati im që është në qiell”. Zoti ju bekoftë të gjithëve””.
E sot 106 vjet pas lindjes, jeta dhe vepra që na la Nënë Tereza janë dëshmi dhe ikonë e dashurisë së Zotit ndaj njerëzimit e posaçërisht ndaj më varfërve e të mënjanuarve, shembull përkushtimi e shërbimi vëllazëror për të gjithë ne.

Në këtë përvjetor të lindjes së saj, ja urimet e Presidentit të Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, imzot Angelo Massafrës, në mikrofonin e Radio Vatikanit.

No comments:

Post a Comment