12 August 2016

Profili i bashkisë Libohovë


Bashkia e re e Libohovës është e pasur me monumente historike, arkeologjike dhe objekte kulti, por shumë prej tyre mbeten të paarritshme për turistët për shkak të rrugëve të këqija.

Autor: BIRN 

Të dhëna të përgjithshme

Zona Gjeografike: Libohova kufizohet në veri me bashkinë Këlcyrë, në lindje me Bashkinë Përmet, në jug me bashkinë Dropull dhe në perëndim me bashkinë Gjirokastër. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Libohovës.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 ka një popullsi prej 3.667 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki ka 7.158 banorë. Libohova shtrihet në një sipërfaqe prej 248.24 km2 me një densitet prej 28.83 banorë/km2.
Kjo bashki përbëhet nga 3 njësi administrative, të cilat janë: Libohovë, Qendër Libohovë dhe Zagorie. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit Gjirokastër dhe e qarkut Gjirokastër. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 17 fshatra. 

Profili i bashkisë

Bashkia Libohovë ka qenë që prej vitit 1914 nënprefekturë. Zona që përfshihet në bashkinë e re është e pasur me monumente arkeologjike, historike, monumente kulti dhe natyrore, me vlera unike në llojin e vet, të vizitueshme në çdo kohë dhe të njohura ndërkombëtarisht.
Gjatë 20 viteve të fundit, popullsia e Libohovës ka njohur nivel të ulët të rritjes demografike, edhe pse emigrimi apo migrimi ka shënuar ulje të ndjeshme. Kjo zonë është në proces gjenerimi dhe ofron mundësi punësimi, përqendrimi, investimi, turizmi, duke premtuar përmirësim të jetës së banorëve.
Bashkia e re e Libohovës ka nevojë për investime në infrastrukturë, ekonomi, turizëm, bujqësi e blegtori, pasi është një nga zonat më të rëndësishme për numrin e bagëtive të imta dhe sipërfaqes bujqësore. Libohova mban rekord në Shqipëri për shumëllojshmërinë e bimëve medicinale . Pozicioni gjeografik e bën Libohovën një qendër potenciale, duke u bashkuar me zonat e tjera përreth si komunën  Qendër- Libohovë apo komunën  Zagorie. Ajo mund të ofrojë një shërbim më të mirë si qendër bashkie, duke shfrytëzuar potencialet hidrike, bujqësore, blegtorale dhe turistike të të gjithë zonës.
Pozicioni gjeografik kufitar, pjesëmarrja aktive në projektin IPA për zhvillimin e zonave ndërkufitare, projektet e përbashkëta për eko-turizmin me bashkinë e Zagorit, Greqi, do të sillnin një hop cilësor për këtë zonë, duke përfituar nga shkëmbimi ekonomik dhe social –kulturor.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes se re
Administrimi i të ardhurave nga bujqësia, nga blegtoria, fuqizimi dhe nxitja e bizneseve dhe  promovimi i produkteve të zonës mbeten sfida për t’u përballuar nga bashkia e re e Libohovës.
Trashëgimia e pasur historike dhe kulturore krijon premisat e zhvillimit të agroturizmit në këtë zonë, por cilësia e keqe e rrugëve lidhëse mes Libohovës dhe fshatrave që e rrethojnë e vështirëson këtë mundësi.
Në këtë drejtim, shumë objekte të trashëgimisë kulturore mbeten të paarritshme për turistët potencialë.
Bashkia duhet të përcaktojë një strategji afatshkurtër se si do zhvillohen  disa nga zonat me potenciale turistike, përfshi dhe vetë qytetin si dhe të projektojë mbështetjen e zonave më të thella si ajo e Zagorisë. Një sfidë është zhvillimi i markës së prodhimeve blegtorale të Libohovës, sidomos i djathit, që njihet në gjithë Shqipërinë. Bashkia do duhet të nxisë projekte që mundësojnë në të ardhmen eksportin e këtyre produkteve në Bashkimin Europian.
Restaurimi i Kalasë së Libohovës dhe disa monumenteve historike mbetet një tjetër sfidë për bashkinë e re, që së bashku me sarajet e bejlerëve të Libohovës mund të kthehen në atraksione turistike të periudhës osmane.
Zhvillimi i arsimit mbetet një sfidë sidomos në zonat ku ka pak nxënës dhe kryhet mësim i kombinuar.

Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Libohovës kishin të drejtën e votës 5,797 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 3,218 votues, 55.51% e zgjedhësve.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Znj. Luiza Mandi të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 53.54% të votave.

No comments:

Post a Comment