18 August 2016

Profili Bashkise Kelcyre

Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Këlcyra kufizohet në veri me bashkinë Poliçan, në lindje me Bashkinë Skrapar, në jug me bashkinë Përmet dhe Libohovë dhe në perëndim me Bashkinë Tepelenë dhe Memaliaj. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Këlcyrës.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia ka një popullsi prej 6.113banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki numëron 12.468 banorë. Bashkia e re shtrihet në një sipërfaqe prej 304.65 km2, me një densitet prej 40.92 banorë/km2.
Kjo bashki përbëhet nga 4 njësi administrative, të cilat janë: Këlcyrë, Ballaban, Sukë dhe Dishnicë. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit Përmet dhe e qarkut Gjirokastër. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 48 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë 
Këlcyra është një qytezë e shtrirë mes maleve Trebeshinë dhe Nemerckë, e cila përshkohet  nga ujërat e kthjellëta të Vjosës. Zona me peizazhe mahnitëse dhe vende historike ofron pak sa i përket strukturës arkitekturore. Zhvillimet urbane pa kriter, mos-kombinimi i ndërtimeve para viteve ’90 me ato të tranzicionit dhe mungesa e një plani urban për zgjerimin kanë sjellë pasoja për qytezën e Këlcyrës.
Të ardhurat ekonomike të banorëve janë të ulëta. Ato vijnë nga aktivitete të vogla tregtare dhe shërbimi, por edhe nga bujqësia dhe blegtoria e pakët.  Këlcyra është dalluar gjithmonë për cilësinë e lartë të  frutave dhe rrushit dhe është njohur si qendër për kultivimin e rakisë dhe verës. Por kaosi në tregun shqiptar të pijeve dhe spekulimet kanë bërë që Merloti i famshëm i Këlcyrës pothuajse të humbasë në tregun shqiptar të verës.
Edhe vreshtaria ka pësuar luhatje të ndjeshme, ndërsa kantinat kanë pak peshë në ekonominë e zonës. Të ardhurat nga emigracioni kanë mbështetur mjaft familje të zonës, por rënia e tyre për shkak të krizës ka rënduar situatën ekonomike të banorëve.
Popullsia e Këlcyrës është e përbërë kryesisht nga vendas dhe të ardhur nga fshatrat përreth. Shumë banorë kanë migruar drejt Tiranës, ndërsa një pjesë e madhe e popullsisë kanë emigruar kryesisht drejt Greqisë fqinje.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes se re
Sfida kryesore e bashkisë së re të Këlcyrës është integrimi i politikave të zhvillimit mes zonave të reja dhe Bashkisë aktuale, duke i mëshuar veçanërisht  zgjidhjes së disa problemeve. Rikonstruksioni i rrugëve, ndërtimi i urave dhe ujësjellësve, përballimi i përmbytjeve që mund të vijnë nga Vjosa apo dëmeve që shkaktohen nga erozioni konsiderohen çështje që kërkojnë ndërhyrje emergjente për rivitalizimin e bashkisë.
Bashkia e re duhet të rrisë nivelin e të ardhurave duke menaxhuar më mirë fondet pyjore dhe asetet e saj, ndërsa duhet t’u ofrojë më shumë mbështetje shtresave në nevojë.
Bashkia do duhet të përballojë nevojat  e sektorit arsimor, sidomos për përmirësimin e mjediseve të shkollave, rikonstruksionin e godinave dhe ngrohjen e tyre gjatë dimrit.
Për të rritur potencialin e vet ekonomik, Bashkia e re e Këlcyrës duhet të hartojë programe turistike, të nxisë mbrojtjen e pasurive natyrore dhe  sidomos të disa kishave bizantine, që rrezikojnë degradimin nga mungesa e gjatë e restaurimeve.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Këlcyrës kishin të drejtën e votës 9,784 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej    4,885 votues, 49.93% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Klement Ndoni të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 50.42% të votave.
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor
Vota
Përqind
Mandate
Aleanca për Shqipërinë Europiane
3232
68,74%
11
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet
1439
30,60%
4
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë
15
0,32%
0
Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut
16
0,34%
0


No comments:

Post a Comment