09 August 2016

Ja udhezimet per maturantet,Raundi i pare , aplikimi dhe kushtet


Të gjithë kandidatët, për ndjekjen e studimeve në universitetet publike dhe private, në ciklin e parë të studimeve Bachelor, duhet të kryejnë procesin e aplikimit online në portalin e Maturës Shtetërore. Të drejtën të aplikojnë e kanë kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, janë pajisur me dokumentacionin ligjor të këtij niveli arsimor, nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program studimi, në universitetet publike apo private, plotësojnë kushtin e notës mesatare 6 të përcaktuar nga, Këshilli i Ministrave, si dhe kriteret e vendosura nga universitetet publike dhe private për programet e studimit për të cilat aplikojnë.
Maturantët përpara se të bëjnë aplikimin në portalin e Maturës Shtetërore, duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2.000 lekë, në zyrat e postës apo në bankat e nivelit të dytë në llogari të AKP-së. Maturantët mandatin e pagesës së tarifës së aplikimit e dorëzojnë në shkollat ku kanë kryer plotësimin e Formularit A1/A1Z. Vetëm pas dorëzimit të këtij mandati pagese, sekretaritë e shkollave hedhin në sistem notën mesatare për pranimin e maturantëve në ciklin e parë të studimeve. Afati i fundit është data 10 gusht 2016. Kriteri i notës mesatare 6, nuk është kusht vetëm për ata kandidatë që do të aplikojnë në programet dyvjeçare me karakter profesional.
“Të gjithë kandidatët që duan të ndjekin studimet në institucionet e arsimit të lartë, përfshirë edhe kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit, pas pagesës së tarifës së aplikimit dhe hedhjes në sistem të notës mesatare, do të aplikojnë në portalin e Maturës Shtetërore, nëpërmjet formularit të aplikimit, për çdo DAR/ZA sipas kalendarit të mëposhtëm, në datat 01-11 gusht 2016”, përcaktohet në udhëzim.
Aplikimi nëpërmjet formularit të aplikimit në Portalin e Maturës Shtetërore, kryhet në cilindo mjedis që ka akses interneti. Kandidatët hyjnë në portal me kredencialet e tyre: ID-ja e kandidatit; emri, atësia, mbiemri; karta e identitetit; e-maili i kandidatit etj., duke zgjedhur deri në 10 programe studimi nga lista e programeve të studimit që ofrohen nga 34 universitetet publike dhe jopublike, për vitin 2016-2017.
Sistemi i portalit të Maturës Shtetërore nuk do të pranojë aplikime nga kandidatë të cilët nuk plotësojnë kriterin e notës mesatare, të përcaktuar me vendim nga Këshilli i Ministrave, si dhe kriteret specifike të përcaktuara nga universitetet. P.sh., nëse një kandidat e ka notën mesatare të gjimnazit më të vogël se 8.5, sistemi nuk i lejon atij aplikimin në programet e studimit si Mjekësi e Përgjithshme, Stomatologjia apo Farmaci në Universitetin e Mjekësisë.

No comments:

Post a Comment