Arsllan
Pashallinjtë nga rrjedh Mufidi kishin qenë për breza me rradhë Vezirët e
Janinës dhe po ashtu dhe sundimtarët e Sanxhakut të Gjirokastrës dhe të
Delvinës… e shumë e shumë herë dhe të krahinave të tjera. Mbase ishte kjo
trashëgimi, që i bindi Libohovat e brezave të fundit të Perandorisë Osmane, që
nuk ishin si të tjerët. Në shtëpinë e Libohovës fliteshin shumë gjuhë dhe kjo
falë edukimit që kishin të gjithë anëtarët e saj. Kishin kuptuar të gjithë
diçka të vetme, që do të ishte vetëm kultura që mund të ndryshonte statusin e
tyre kombëtar dhe të mjedisit ku jetonin. Nga ana tjetër, dituria u jepte një
status tjetër krahasuar edhe me njerëzit e tjerë të Perandorisë, ku familja e
tyre ishte pa asnjë dyshim një nga më fisniket.
Malik Pasha,
i gjyshi i Mufidit, nuk i pranoi detyrat zyrtare të Perandorisë osmane në
mënyrë publike. Sipas të afërmëve, pasuria e tij ishte e tillë, saqë Maliku
konsiderohej pa frikë, si një nga njerëzit më të pasur të kohës, që jetonin në
Egjipt, Turqi por edhe në Greqi. E gjitha kjo pasuri, që ishte mbledhur në
shekuj të tërë, konfirmonte realisht, atë që familja Libohova e pretendonte: se
datonte si një nga familjet më të vjetra të aristokracisë shqiptare. Pinjollët
e fundit të Libohovave, e vizatojnë pemën e tyre gjenealogjike deri në 700 vjet
më parë. Ndoshta kjo ishte arsyeja, që Shanishaja, motra e Ali Pashait, erdhi
nuse në derën e tyre. Duke iu afruar më shumë familjes, Myfid Bej Libohova
është i biri i Neki Pashës dhe lindi më 1876. Ndërsa, ky i fundit është i
njohur si guvernator i Gjirokastrës. Dhe për shkak të statusit të tij, ishte
edhe një nga pak deputetët e Shqipërisë ne Parlamentin e parë të Perandorisë
Osmane. Aq i madh ishte pozicioni i tij, saqë më 1879, ai arriti që të bëhej
Këshilltar në Këshillin Perandorak të Shtetit. Me këtë prejardhje është fare e
arsyeshme, që edhe i biri, Myfidi, do ta kishte rrugën e hapur për karrierën e
tij. Ishte martuar herët dhe më 1898 bashkëshortja e tij e parë ishte Sheref
Hanëm Giritli Zade. Kjo ishte vajza e Ibrahim Pashait dhe Mustafa Pashait. Ky i
fundit kishte qenë 5 herë Sadrazem dhe kryeministër i perandorisë. Me Sheref
Hanëmin arriti që të bënte djalin e parë Malik beun, që do të përfaqësonte vite
më vonë Shqipërinë në Francë. Ndërsa, djali i dytë i tij, ishte Elmaz Beu, që
lindi nga gruaja e dytë, danezja Olga Scheitzer.
Si të gjithë
shqiptarët e kulturuar, Myfidi, do të formohej në Liceun e Janinës “Zosimea”,
ndërsa formimin e plotë do e përfundonte në Liceun Perandorak të Stambollit në
“Galata Saraj” me gjuhë bazë frëngjishten. Ishte e tillë kultura e familjes,
saqë ajo mund të vlerësohej dhe me njohjen e gjuhëve që kishte Myfidi dhe
vëllezërit e tij. Ai në punët e tij do të komunikonte lirisht në frëngjisht,
turqisht, persisht, greqisht dhe me italishten. Ai do të diplomohej me sukses
në degën e drejtësisë në Stamboll dhe pak më vonë për Shkencat Politike në Lozanë.
Këtu pak më vonë do të merrte dhe doktoraturën. Ishte i gjithë korpusi i
diturive të tij, që e bëri atë, falë kuptohet dhe ndikimit të pozicionit të
paraardhësve të tij të ishte që në vitin 1898 në Ambasadën perandorake në
Bruksel të Belgjikës. Në këtë vend arriti në pak vite, që të bëhej dhe “Charge
d’Affaires”. Ishte njeriu që ndihmoi nacionalistët shqiptarë në atë qytet dhe
patjetër Ismail Qemalin, kushuririn e tij të afërt, që botonte në atë kohë “Le
salut de l’Albanie”. Kjo shtypej në tre gjuhë: shqip, turqisht dhe greqisht. Ai
do të binte në sy për këtë veprimtari, që konsiderohej si subversive, dhe në
vitin 1904 do të transferohej në Bernë. Të kësaj kohe janë dhe udhëtimet e tij,
në një sërë kryeqytetesh në Evropë, si në Berlin, Vjenë, Paris, Londër, Romë
dhe Shën Petërburg për çështjen shqiptare. Dy vjet më vonë, ai do t’i kërkojë
ndërhyrje Abas Hilmi Pashës “Hidivit” në Egjipt për të ndikuar pozitivisht për
çështjen shqiptare. Në atë kohë, ajo kishte marrë një hop të madh dhe po i
afrohej finishit të zgjedhjes së saj. Ndërkohë, dy vëllezërit e tij, po ashtu
kishin arritur pika të larta në karrierën perandorake. Ekrem Beu ishte bërë
oficer madhor në Akademinë e Kavalerisë Perandorake në Shtatmadhori, ndërsa i
dyti ishte Ajet Beu, Këshilltar i Ambasadës Perandorake në Athinë. Më 1907 i
vdes i jati dhe i bie barra, që të merret me administrimin e pasurisë, e cila
është e stërmadhe. Një vit më vonë, ai do të jetë kryekonsull në Thesali, me
kërkesë të tij, në mënyrë që të ndiqte pasurinë e familjes.
Kuptohet se
nuk qëndron shumë, sepse pavarësisht postit, fillojnë e marrin erë shumë
problemet shqiptare. Pavarësia është më afër se kurrë dhe për të nuk
pëshpëritet por flitet me forcë. Bashkë me dy vëllezërit, Ekremin dhe Ajetin,
braktis Perandorinë për të filluar një jetë tjetër. Kjo jetë duhej të vihej në
shërbim të një shteti, që ekzistonte vetëm në kokat e diplomatëve dhe në
dëshirën e shqiptarëve.
No comments:
Post a Comment