08 August 2016

Eqrem Çabej sipas Agim Meros

Eqrem Çabej (Eskishehir, 6 gusht 1908 - Romë,13 gusht 1980) .
Nga Agim Mero.
Në vjeshtë të vitit 1972 dy ngjarje shkencore me rëndësi kombëtare u organizuan nga Universiteti: Kuvendi i Parë i Studimeve Ilire, në shtator; dhe Kongresi i Drejtshkrimit, në nëntor. Historianë dhe gjuhëtarë të shquar nga vendi, nga Kosova dhe nga shumë vende të tjera të botës, vunë në dukje, në këto dy tubime historike, kulturën e lashtë dhe prejardhjen e saj ilire të historisë dhe të gjuhës shqipe, si një nga gjuhët më të vjetra të kontinentit. Referatet e kumtesat e A. Kostallarit, A. Budës, E. Çabejt, I. Ajetit, etj., ishin bazamenti i fuqishëm shkencor, ku u mbështetën konkluzionet e vendimet e Kuvendit e të Kongresit. Ashtu si kuvendin, por veçanërisht Kongresin e Drejtshkrimit, Enver Hoxha i ndoqi me kujdes të veçantë. Ai pyeste e dëgjonte veçanërisht me vëmendje mendimet e studiuesve kosovarë për gjuhën e njësuar dhe vlerësoi sidomos mendimet e Çabejt për karakterin konvergjent të gjuhës letrare shqipe. Kur u mbyll kongresi, E. Hoxha takoi me radhë shkencëtarët e gjuhëtarët që mbajtën referatet e kumtesat dhe u ul për të pirë kafe midis E. Çabejt dhe A. Budës. Aty ai deklaroi se së shpejti do të krijohej edhe Akademia e Shkencave, duke vlerësuar në këtë rast aftësitë shkencore si të Çabejt, ashtu dhe të Budës.
Me Çabejn në Shkup dhe Prishtinë
Në dhjetor të atij viti pata rastin e fatin që bashkë me Çabejn të shkonim për marrëveshje universitare në Shkup e në Prishtinë. Rrugës për në Shkup ndaluam afër Manastirit, ku ishin bërë e bëheshin studime arkeologjike të një vendbanimi të lashtë të quajtur “Heraklea”. Me pyetjet, me njohuritë dhe me shpjegimet që jepte Prof. Çabej, për kulturën dhe historinë e asaj treve, ciceroni vendas hoqi dorë nga fjalët e tij dhe filloi edhe ai të dëgjonte me vëmendje profesorin tonë. Në Shkup e ftuan të bënte një bisedë mbi gjuhët ballkanike në fakultetin e gjuhësisë të Universitetit të Shkupit. Kur shkuam për ta marrë Çabejn, pas dy orësh, ai ende s’kishte mbaruar t’u përgjigjej pyetjeve të shumta që i bëheshin dhe pamë një grumbull të madh dëgjuesish që ishin jashtë sallës, në oborr, duke dëgjuar bisedën e tij.
Harresë apo…!?
Në Prishtinë e në qytetet e tjera të Kosovës, ku unë shkova për herë të parë, nuk mund ta përshkruaj dashurinë e respektin e madh të kosovarëve për Prof. Çabejn. Kjo dashuri e ky respekt për të vinte se ai njihej kudo atje si një shkencëtar i madh, por edhe si një shqiptar i madh. Profesori njihte deri në nuanca jo vetëm jetën dhe historinë kosovare, por edhe vendet ku kalonim me emra e me historinë e tyre. Por ajo që më shtangu, ishte kur pashë në gazetën “Rilindja” që në përvjetorin e lindjes së tij ia kishte kushtuar disa faqe Çabejt, Në faqen e parë gazeta botonte një portret të madh të tij me mbishkrimin: “Simbol i mençurisë dhe i modestisë shqiptare”. U gëzova, por edhe u pezmatova, rashë në mendime, sepse në shtypin tonë as përmendej ditëlindja e tij dhe shefja e kuadrit të Universitetit s’e vinte fare në listat e atyre që duhej t’u festohej dita e lindjes. Si për të larë diçka, kur u kthyem nga Kosova, pas disa ditësh i shkova në shtëpi Profesorit për Vitin e Ri.
Vërejtje pse i puthi dorën koleges shkencëtare
Është bërë proverbial tani rasti me shkencëtaren ruse Desnickaja, albanologe e njohur, që kur Çabej e takoi në një kongres të studentëve të Evropës juglindore në Sofje, i puthi dorën asaj. Për këtë xhest, kryetari i delegacionit N. P. (nëndrejtori Institutit të Marksizëm-Leninizmit-) i hoqi vërejtjen, kurse Çabej iu përgjigj: “-Jam shumë i moshuar tani që të ndërroj zakonet e sjelljes sime.” Desnickaja ishte edhe oponente, kur Çabej mbrojti disertacionin. Titullin e kandidatit të shkencave ai duhej ta mbronte në një kohë kur të tjerëve u jepej me vendime. Në bisedë e sipër, ajo tha:”- Unë sot jam oponente, po për ato që do të flas, e konsideroj veten nxënëse të Çabejt”. Desnickaja e dinte aq mirë shqipen, sa kur e pyeta Prof. Z. Kodrën, ndërsa ajo po fliste për disertacionin e Çabejt, se si po e fliste shqipen nga ana gramatikore, ai më tha: Gjatë një ore që ka folur, ka bërë vetëm dy gabime gramatikore, që, (dhe përmendi emrin e një shkrimtari tonë të njohur), i bën në çdo dy fjalë që thotë.
Të tolerosh është njerëzore, të falësh është hyjnore!
Sa herë e takoja, aq sa më jepte kënaqësi, aq edhe pezmatohesha e futesha në mendime. Një shkencëtar iu1_cabej atillë, që bota e njihte, e nderonte dhe e respektonte, punonte e jetonte në kushte më se modeste. Për të shkuar në punë, i duhej të ndërronte dy autobusë. Jetonte në një apartament më se të zakonshëm, kur sa e sa mediokër kokëboshë kapardiseshin në vetura e në vila! Për të shkuar në verë dy javë në plazh, mu desh të ndërhyja te ministri i Ekonomisë Komunale, për t’i dhënë një kabinë dërrase. Por, ai gjithmonë i urtë dhe i heshtur, s’ankohej kurrë, jo nga frika, por nga karakteri, sepse, siç ka thënë vetë: “Thelbi shpirtëror i karakterit të shqiptarit është rezervimi.” Këtë ma vërtetoi edhe një herë Shyretja, bashkëshortja e tij, kur i vajta para disa vjetësh për vizitë në shtëpi. Në një nga gazetat tona dikush kishte shkruar sikur Çabej, kur ishte i shtruar në spital, i kishte thënë që mua më sëmuri A… , për një nga drejtuesit e tij. Kjo shkruhej disa vite pas vdekjes. Shyretja ishte revoltuar dhe insistoi që gazeta të kërkonte ndjesë për çka kishte shkruar, sepse Eqremi, fliste akoma e revoltuar ajo, jo vetëm s’e ka thënë atë, por edhe nuk e thoshte kurrë sepse ai si moto të jetës, midis të tjerash, kishte edhe këtë: “Të tolerosh është snjerëzore, të falësh është hyjnore”.
***
Për 20 vjet, deri sa vdiq e takova vetëm një herë, në autobus urban, kur po vija nga Laçi. Më foli me shumë përzemërsi e me keqardhje të madhe. U mërzita shumë – tha – që ike nga universiteti, se gjirokastritët e bëjnë shumë mirë punën e shtetit. “Nuk e takova dot më njeriun e madh e profesorin e dashur. Sa i madh, aq ishte edhe i thjeshtë. Ndryshe s’do të kishte vend proverbi i lashtë që thotë se: “Mund të jesh i thjeshtë pa qenë i madh, por nuk mund të jesh i madh pa qenë i thjeshtë. Lum kush e ka njohur atë njeri!
Akademia e Shkencave, midis Budës dhe Çabejt
Kjo dha shkas që në opinionin intelektual të diskutohej se Aleks Buda ose Çabej, një nga këta të dy do të ishte kryetari i ardhshëm i akademisë. Dy muaj më vonë, kur u inaugurua Akademia, E. Hoxha konsideroi si më të përshtatshëm kryetar të saj Prof. Aleks Budën. Si Çabej, ashtu dhe Buda, të dy të shkollës austriake, kishin “njollat” e tyre në biografi, nga të cilat si më të voglat E. Hoxha quante të A. Budës. Kur E. Hoxha e thirri A. Budën për t’i komunikuar vendimin për ketë, s’di sa është e vërtetë, A. Buda me zgjuarsinë e buzëqeshjen e tij karakteristike, i tha:”- Sh. Enver, ky është gabimi i parë i madh që bën partia duke më caktuar mua kryetar të Akademisë të Shkencave të Shqipërisë”. Aleks Buda ishte një intelektual i formuar, erudit, me kulturë perëndimore. Atëherë veprimi i E. Hoxhës për ta emëruar kryetar të akademisë u konsiderua si një sinjal që bëhej në përputhje me frymën liberale të asaj periudhe, që dha shpresa për ndryshime pozitive. Megjithatë në këto veprimtari, spikaste figura e Eqrem Çabejt, në radhë të parë si e një gjuhëtari të madh, por jo më pak edhe të një historiani të tillë, me përmasa poliedrike, që në çdo kohë do t’i japë nder Shqipërisë.
Çaj Çajupi në shtëpinë e profesorit
Shtëpinë e kishte ku e ka edhe sot familja e tij, afër Varrit të Bamit, në katin e sipërm të një pallati. Më priti në kuzhinë, aty ku prisnin atëherë. pothuajse gjithë shqiptarët. E ndjeva që u gëzua si fëmijë ai kolos i mendimit, i kulturës e shkencës shqiptare. “- Së pari, -më tha – do të pimë një çaj mali nga Gjirokastra” dhe këndej filloi edhe muhabeti për Gjirokastrën, për lagjen ku kishte lindur e për gjimnazin ku jepte mësim, kur punoi për pak kohë në Gjirokastër. I kujtova se një ish student i tij, nga Gjirokastra, më kishte treguar se kur hyri (për Çabejn) për herë të parë në klasë, u kish thënë:”- Bashkë do të bëjmë dy lëndë, filozofinë dhe gjuhën shqipe. Të parën po deshët mësojeni, po deshët mos e mësoni., por të dytën nuk do t’ju lejoj që të mos e mësoni. “Qeshi pak dhe shtoi:”- Filozofia ka rëndësinë e saj, por gjuha është tabani i tabanëve të një kombi.”
Jeta dhe vepra
Eqrem Çabej, shkollimin fillor e kreu në vitin 1921 në Gjirokastër. Studimet e larta i mbaroi për filologji në Klagenfurt (1923-1926), Grac (1927) dhe Vjenë të Austrisë (1930-), ku ndoqi mësimet e Paul Kretschmer, Karl Patsch, Nikolai Trubetzkoy dhe Norbert Jokl. Nën drejtimin e Joklit, Çabeji filloi të kishte interes të madh në zhvillimin historik të Gjuhës Shqipe. Në 1933, ai dorëzoi disertacionin e doktoraturës mbi Italoalbanische Studien (Studime Italo-Shqiptare) në Vjenë. Çabej u kthye në Shqipëri ku edhe punoi si mësues gjimnazi në Shkodër (1934), Elbasan, Tiranë dhe Gjirokastër. Pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore, ai vajti në Romë, ku qëndroi deri më korrik të 1944-ës. Në 1942, ai refuzoi të bashkohej me Institutin e Studimeve Shqiptare për arsye politike. Atij iu ofrua posti i Ministrit të Kulturës në qeverinë kukull të Rexhep Mitrovicës në 1943, por ai e refuzoi. Ai u kthye në Shqipëri në 1944. Në 1947, ai u caktua anëtar i Institutit të Shkencave, instituti paraardhës i Universitetit të Tiranës. Nga 1952 deri më 1957, ai shërbeu si profesor i historisë së Shqipërisë dhe fonetikës historike. Në 1972, ai u bë anëtar themelues i Akademisë së Shkencave. Veprimtaria shkencore e Çabejit në fushën e gjuhës shqipe dhe historisë është e gjithanshme dhe në shumë raste monumentale. Çabej u specializua në gjuhësinë krahasuese indo-evropiane. Veprimtarinë shkencore e shtjelloi në gjuhësi, por edhe jashtë saj, në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë. Vend zënë studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, dialektologjia e onomastikës si edhe kodifikimi i gjuhës letrare. Eqrem Çabej është autor i mbi 200 publikimeve; la pas shumë shkrime e studime mbi letërsinë e folklorin; si dhe dy veprat madhore: botimin studimor prej dy vellimesh “Meshari i Gjon Buzukut, 1555”, dhe “Studime Etimologjike në fushë të shqipes”. Eqrem Çabej ka dhënë një ndihmë të çmuar me një varg sqarimesh etimologjike gjatë hartimit të Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë më 1980. Profesor Çabejit i është akorduar Urdhri “Nderi i Kombit”, Shqipëri 10 maj 2003; Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit, Kosovë, ndërsa Universiteti i Gjirokastrës mban emrin e tij, universiteti “Eqerem Çabej”.
Eqrem Çabej në Vjenë
eqerem-cabejPër të vazhduar studimet, Eqrem Çabej u dërgua në Austri. Para se të hynte në ndonjë shkollë, iu desh të qëndronte një vit afër Vjenës, për të mësuar gjermanishten.
Rasti e solli pranë familjes Reinmyler, në St. Pölten, një familje e kulturuar dhe dashamirëse, që u kujdes për të si ta kishte birin e vet. Gjatë qëndrimit pranë kësaj familjeje ai punoi shumë për ta përvetësuar sa më shpejt gjermanishten. Duke lënë përshtypje shumë të mira jo vetëm me zellin e madh, por edhe me sjelljen shembullore. Pas një viti qëndrimi në St. Pölten, mori njëherësh dy klasa të gjimnazit që e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1926 në Klagenfurt të Austrisë. Në vitin akademik 1927 – 1928 u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Gracit, ku ndoqi studimet për dy gjashtëmujorë (semestra). Pastaj studimet i vazhdoi në Universitetin e Vjenës. Dega e gjuhësisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Vjenës kishte një traditë të vyer. Aty kishin punuar profesorë të tillë të shquar si sllavistët e njohur Franc Miklosiç (Miklosich) (1813 – 1956), Vatroslav Jagiç (1838 – 1923), romanisti me emër Vilhelm Majer – Lybke (Myer – Lübke) (1861 – 1936) etj. Në kohën që u regjistrua Çabej, në atë universitet punonin, ndër të tjerë, indoeuropianisti dhe grecisti i njohur P. Kreçmer (P. Kretschmer) (1866 – 1956), albanologu i dëgjuar Norbert Jokl (1877 – 1942), arkeologu dhe historiani i njohur Karl Paç (K. Patsch) (1865 – 1945) etj. Të kujtojmë se në Austri ishte krijuar një traditë e mirë edhe për studimin e historisë së gjuhës shqipe dhe të historisë së popullit shqiptar.
Me Norbert Joklin
Norbert Jokli, duke e çmuar talentin e studentit të ri shqiptar, e mbajti afër atë dhe kështu u zhvillua midis tyre një miqësi e ngushtë dhe një bashkëpunim i frytshëm, që ndihmoi aq shumë për ta përudhur Çabejn e ri në studimin e thelluar shkencor kur ishte ende student. Në përputhje me kërkesën e Universitetit të Vjenës që, për ta marrë diplomën me gradën e doktorit në profilin përkatës studenti duhej të mbaronte një disertacion, diplomanti E. Çabej zgjodhi për këtë qëllim temën Studime italo – shqiptare (Italoalbanische Studien). Për këtë disertacion ai punoi me zell të madh dhe shkoi e mblodhi material pranë arbëreshëve të Sicilisë në vitin 1932. Disertacioni u mbrojt më 7 tetor 1933 para prof. dr. Paul Kreçmerit, prof. dr. Norbert Joklit dhe prof. dr. Karl Paçit dhe për këtë atij iu dha diploma për gradën doktor nga Universiteti i Vjenës. Diploma është nënshkruar nga të tre profesorët e lartpërmendur përkrah vlerësimit shkelqyeshëm (Ausgezeichnet).

No comments:

Post a Comment