24 August 2016

BEKTASHIZMI DHE ROLI I TIJ NE ZHVILLIMIN E ARSIMIT KOMBETAR NE SHQIPERINE JUGORE

Dr. Shyqyri Hysi
Universiteti “E. Çabej” Gjirokastër

Besimi fetar bektashian është i lidhur me emrin e themeluesit të tij, Hynqar Haxhi Bektash Veliut. Haxhi Bektashi, lindi në Horasan në vitin 1249 dhe kur ishte 31 vjeç, në vitin 1280 ndërtoi teqenë e parë bektashiane atje ku edhe sot është teqeja e Haxhi Bektashit, e cila shërbeu si kryeqëndër e bektashizmit botëror deri në vitin 1925. Shumë shpejt ky besim i ri u përhap në gjithë Perandorinë Osmane, në Azinë Qëndrore dhe Ballkan.
Bektashizmi, zuri vend përkrah besimeve të tjera fetare edhe në Shqipëri. Faktorët e shtrirjes së këtij besimi në Shqipëri janë:
1) Ardhja në Shqipëri e misionerëve bektashian, Baba Kasëmi në rajonin e Korçës, i cili erdhi në vitin 1378, Baba Jemini, i cili erdhi në Vutrinë të Nasalishtës, Hysen Babai në Konicë. Në këtë kontekst përmendim veçanërisht Sari Salltikun, i cili njihet edhe me emrin Shën Spiridhonit. Meqënëse, dalja në publik me rrobat e klerikut bektashian, përbënte një rrezik serioz, Sari Salltiku për të plotësuar misionin e tij, qarkulloi në trevat tona i veshur me veladonin e prifti, për këtë shkak njihet edhe me emrin e Shën Spiridhonit. Për Sari Salltikun egzistojnë disa legjenda, të cilat më mirë se kudo gjekë, i gjen midis pleqëve të Lazaratit. Të tilla janë:
Kalimi i ngushticës së Korfuzit me harkanë e tij; “Në detë e shtroi harkanë – thote kënga - Në Korfuz doli i gjallë:” Shërimi i disa njerëzve, të cilët kishin vuajtur për një kohë të gjatë nga sëmundje të ndryshme: Kalimi nga një mal në tjetrin etj.
Mendoj se gjurmët e këtij shenjtori, janë edhe në Lazarat në Selgjiken përmbi fshat, se bashku me Resën dhe Mërzimin. Sel, do të thotë fatthenës, kështu quheshin sherbëtorët e Dodonës. Gjike, sepse në atë periudhë ky vend i takonte fisit të gjike që e strehoi shenjtorin(Selgjike = sel +gjike).
2) Faktori i dytë, i cili ndikoi ndjeshëm në përhapjen e bektashizmit ndër shqiptarë, ishte faktori jeniçer. Me repartet e jeniçerve u lidh besimi bekytashian, për ta dëshmuar publikisht këtë, ushtarët jeniçerë mbanin në uniformën e tyre një shenjë të shenjtorit në kapele, mëngën e Haxhi Bektashit.
3) Natyra liberale i besimit bektashian, krahësimisht me besimin mysliman që ofronte pushtimi osman i Shqipërisë, ishte i përshtatshëm për karakterin separatist e krenar të shqiptarit.
4) Luani i Janinës, Ali Pash Tepelena, ishte një ndihmes e veçantë për ngritjen e institucioneve fetare bektashiane dhe përhapjen e këtij besimi.
5) Bektashizmi nuk ishte një besim fetar zyrtar perandorak, madje nga vitit 1826, ai u bë haptas një besim martir dhe opozitar. Klerikët bektashian u lidhën me çështjen kombëtare shqiptare dhe u bënë më të besueshëm në popull. Karakterin kombëtar të bektashizmit dhe bektashinjve e kanë evidentuar disa studiues vendas e të huaj, midis të cilëve përmendim: Hasluck Brige, Grifanova, Klejer, Jaqëes, Delaroka, Kordha, K. Frashëri, Agolli, Meta, Zeqo, Hysi, Delvina, Butka, Spahiu, Myderizi etj.
Përsa i përket kohes së shtrirjes studiuesit dallojnë tre perioda:
a) Perioda e vjetër, e cila fillon në shek. XIV dhe përfundon me ngritjen e teqesë në Fushë Krujë (shek. XVIII).
b) Nga shek. XVIII deri në vitin 1929(Kongresi III bektashian, i cili vendosi Kryegjyshatën Botërore në Tiranë.
c) Nga ligjërimi i komunitetit bektashian(1930) deri në ditët tona.
Baballarët bektashian rreshtohen me nderim midis pionerëve të arsimit në trevën e Gjirokastrës ata janë; Koto Hoxhi, Pandeli e Koço Sotiri, Sami Dalipi, Baba Ahmet Koshtani, Baba Ahmet Turani, Baba Ali Gega, Baba Sali Matohasanoj, Bajo Topulli,Urani Rumbo, Avni Rustemi, Ilia Dilo Sheperi, Thoma Papapano, Nane Panajoti, Theodhor Panajoti Meksi, Shefki Kallajxhiu, Vangjel zhapa, Andrea Konomi etj.
Zhvillimi i arsimit dhe shkrimi shqip, në gjysmë e dytë të shrek. XIX dhe fillim të shek. XX, kishte mbështetjen edhe të klerikëve bektashian të trevës së Gjirokastrës. Në përgjithësi teqet bektashiane ishin qendra për kultivimin e gjuhës shqipe, megjithëse fillimisht me germa arabe. Studjuesi, Stavro Skëndi në veprën e tij; “Zgjimi kombëtar i shqiptarëve”, shkruan; “Bektashinjtë ishin gjithashtu për futjen kontrabandë dhe shpërndarjen e librave në Shqipëri, kafazë të urdhërit bektashi të punësuar në konsullatat e huaja siguronin botime të ndaluara që u dërgoheshin atyre nga jashtë vendit nën mbulesën e paprekshmëris së konsullatave”. Abetaret dhe librat shqip që botoheshin në Bukuresht, Kostancë e Stamboll dërgoheshin në Tripoli dhe prej andej në Vlorë, nga Vlora në Matohasanaj të Tepelenës tek Baba Saliu që e kishte ngritur këtë linjë. Prej andej; një pjesë dërgoheshin në linjën, Koshtan – Frashër – Melçan - Tetovë dhe të tjerat në drejtimin jugor Teqe e Zallit – Melan – Voshtinë – Janinë.
Baballarët e teqeve të Gjirokastrës, ( Zallit, Melanit, Hajdërie dhe teqesë së Mesit), Baba Zenel Gjoksi, Baba Hajdari i Kardhiqit, Baba Ali Elbasani, paguan njerëz dhe sollën nga Bukureshti abetaret e gjuhës shqipe, veprimtari për të cilën sikurse shkruan edhe studjuesja ruse Ana Grifanova edhe u burgosën në Janinë në vitin 1905. Për të mbrojtur klerikët bektashian, lazaratasit bllokuan rrugën që lidhte Gjirokastrën me Janinën. Raportet e konsujve nga Janina në vjeshtën e vitit 1905, njoftonin për këtë protest, kancelarite evropiane. Baba Ahmet Turani ndërtoi me fondet e teqesë, në fshatim Kardhiq të Gjirokastrës, një shkollë të re.Lazarati dhe lazaratasit kanë filluar qysh në fund të shek. XIX të mësonin shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Baba Ali Gega i Teqesë së Zallit, ishte kleriku i pari që investoi në këte drejtim.
Në mbrojtje të alfabetit latin miratuar prej Kongresit të Manastirit 1908, dolën hapur klerikët bektashian të cilët kishin edhe mbështetjen e patriotëve gjirokastrit. Gjatë ditëve të zhvillimit të Kongresit të Manastirit(14 – 22 nëntor 1908), klerikët bektashian dhe antarët e klubit “Drita”, në Gjirokastër organizuan një miting në sheshin e qytetit, në të cilin foli edhe Baba Selimi dhe iu dërguan një telegram përgjithë deputetët shqiptar në parlamentin turk, në të cilin theksonin se; “Gjirokastra mbështeste alfabetin latin”. Në vitin 1910, klerikët bektashian nxitën atdhetaret dhe popullin e Gjirokastrës, për të mos pranuar idenë e një alfabeti shqip me germa arabe, i cili duhej të përdorej në shkollat shqipe të trevës së Gjirokastrës e më gjerë. “Pas Korçës - shkruan Stavro Skëndi - pasoi Gjirokastra. Nga 20 shkurti gjer më 5 mars 1910, u zhvillua atje(në Gjirokastër Sh Hysi) një mbledhje e drejtuar nga ulematë me parësinë. Ata deklaruan se alfabeti latin nuk i bënte dëm as fesë as politikës, dhe se ata qenë të vendosur ta mbronin”. Mbështetja pa rezerva dhe me bindje se ky veprim i evidentonte shqiptarët prej fqinjëve lakmitar, që klerikët bektashian i bënë alfabetit latin garantoi ardhmërinë e tij. Kontributi i klerikëve bektashian në fushën e arsimit kombetar ishte edhe në të holla. Shemsho Hajro, sekretari i klubit atdhetaro – kulturor “Drita” kujton: “Baba Selimi dha një shumë të konsiderueshme të hollash për ngritjen e shkollës Liria” në Gjirokastër.
Gjirokastra është një nga të parët treva, që luftoi për të përhapur shkrimin shqip ende pa u çelur shkollat shqipe(1908 - 1910). Së bashku me përkrahjen e çetave patriotike të Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos dhe çetave të Kurveleshit e Labërisë, Gjirokastra krijoi klimën e ngrohtë për manushaqet e gjuhës shqipe. Përpjekjet për arsim kombëtar i kushtuan Gjirokastrës me dhjetra djemë të burgosur, internuar e të hlmuar, nga armiqtë e gjuhës shqipe, midis tyre disa myhyb të teqeve bektashiane si Kadri Gjata(Kumbaro) nga Libohova etj.
Klerikët bektashian të Gjirokastrës dhe të Prefekturës së sotme, janë gjithashtu nga mirëbërsit më të spikatur të arsimit, ndër të cilët përmenden me nderim: Baba Kamber Sadiku, Baba Hysen Kardhiqi, Baba Ahmet Turani, Baba Aliu, Baba Selimi i Teqesë së Zallit etj. Klerikët bektashian të ndjekur prej zjarit që ndezi ushtria greke në Luftën e Parë Balkanike lanë institucionet e djegura bektashiane dhe mërguan jashtë atdheut, por edhe atje dhan gjithë pasurinë dhe hartuan projekte për zhvillimin e arsimit kombëtar. Ja si shkruan apostulli i shqiptarizmës, Mid’hat Frashëri për baban e teqes së Kiçokut: “Kur isha i internuar në Rumani në Zall të Prutit, pata ngushëllimin e pikëlluar të kem një shok në fatkeqësi, Baba Kamberin e Kiçokut, qe një njeri i urtë, si gjithë bektashitë, plak i fortë, afro 80 vjeç, plotë projekte dhe shpresë, shumica e të cilave ishin për arsimin”. Le të shpresojmë se; dritë e diturisë qe shpëtoi Shqipërinë prej thonjëve të asimilimit në fund të shek. XIX dhe fillim të shek. XX edhe sot, përpara do na shpjerë
Ky informacion eshte derguar nga nje besimtar nga Lazarati.

No comments:

Post a Comment