18 July 2016

Pse qytetarët duhet ta përdorin ligjin “Për të drejtën e informimit”?


Ky ligj ofron disa avantazhe konkrete dhe praktike që favorizojnë çdo qytetar për të marrë informacion. Avantazhet kryesore janë:
– Procedurë e thjeshtuar e marrjes së informacionit përmes një kërkese me shkrim, e cila dërgohet me e-mail, postë ose dorazi Koordinatorit të së drejtës së informimit;
– Shkurtim të afateve të marrjes së informacionit (deri në 10 ditë pune);
– Emërim të koordinatorëve të së drejtës së informimit, nëpunësve publik të specializuar të cilët caktohen në çdo institucion për trajtimin dhe kthimin e përgjigjeve të kërkesave për informim brenda afateve të caktuara ligjore;
– Shtimin e numrit të institucioneve ndaj të cilëve çdo qytetar ka të drejtën e aksesit në informacionduke përfshirë gjykatat, prokuroritë, pushtetin qendror dhe vendor, apo gjithashtu dhe ato kompani ku shteti zotëron shumicën e aksioneve dhe çdo person fizik ose juridik, që ushtron funksione publike në fusha të tilla si: arsimi, shëndetësia, energjia, telekomunikacioni e të tjera si këto;
– Detyrimin për hartimin dhe publikimin e Programeve të Transparencës nga ana e secilit autoritet publik, program ky i cili parimisht duhet të përmbajë pjesën më të madhe të informacionit që disponon autoriteti e që duhet bërë transparent pa kërkesë të qytetarëve apo grupeve të interesit;
– Mekanizëm efektiv ankimi në rast të refuzimit të dhënies së informacionit tek Komisioneri i të Drejtës së Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale;

– Garanci reale që zyrtari, i cili refuzon informacionin qoftë ky koordinatori i drejtës së informimit apo drejtues institucioni do të ndëshkohet personalisht më gjobë individuale.

No comments:

Post a Comment