28 July 2016

OJF-te petición per Vjosen

Lumi Vjosa është një ndër lumenjtë e fundit në gjendje natyrore në Evropë. Për më shumë se 270 km ai rrjedh i paprekur dhe i pa ndërprerë. Lumi është i karakterizuar nga kanione të bukur, në rrjedhën e sipërme dhe ka një shtrat të gjerë e madhështor në rrjedhën e mesme e të poshtme. Së bashku me degët e saj, Vjosa krijon një ekosistem dinamik, një trashëgimi të vërtetë të natyrës evropiane. Në të njëjtën kohë, Vjosa është një nga lumenjtë më pak të njohur të Evropës. Të dhënat ekologjike dhe hidro-morfologjike për të janë jashtëzakonisht të kufizuara.
Megjithatë, në pellgun ujëmbledhës të Vjosës, janë parashikuar të ndërtohen rreth 34 HEC-e,
9 prej të cilëve mbi rrjedhën kryesore të saj. Çelja e procedurave të tenderimit për HEC-in e Poçemit përbën aktualisht një ndër kërcënimet më të mëdha. Ndërhyrja e pa bazuar në studime të thelluara për ndërtim hidrocentralesh edhe në degët e Vjosës (si në: Lengaricë, Bënçë, Shushicë etj.) vë gjithashtu në pikëpyetje ekzistencën e lumit të fundit të “egër” në
Evropë. Ndërkohë institucionet e BE-së janë shprehur qartë në Rezolutën e Parlamentit
Evropian të vitit 2014, konkretisht në pikën 27 të saj, ku evidentohet rëndësia e veçantë që ka mbrojtja e lumit Vjosa, si një trashëgimi natyrore Evropiane.
Një kërcënim tjetër për këtë pellg ujëmbledhës është edhe Plani Grek i Menaxhimit, miratuar nga Qeveria Greke, ku parashikohet devijimi i një sasie të ujërave të lumit Vjosa drejt liqenit të Janinës. Projekte të tilla do ta shkatërrojnë këtë ekosistem lumor unik. Për më tepër, këto projekte bien ndesh me legjislacionin e BE-së si Direktiva Natura 2000 dhe Direktiva e Rrjetit të Ujërave.
Ne, OJF-të shqiptare të poshtëshënuara, kundërshtojmë fuqimisht projektet që cënojnë integritetin e lumit të Vjosës. Ne duam të mbrojmë këtë thesar të trashëgimisë natyrore, kulturore dhe socio-historike të rajonit.
Ne kërkojmë, që Qeveria Shqiptare të ndalojë projektet e ndërtimit të HEC-ve në gjithë luginën e Vjosës si dhe të angazhohet në shpalljen e saj Park Kombëtar. Vjosa duhet të mbrohet në të gjithë gjatësinë e saj, sepse ndërtimi i qoftë dhe një dige të vetme do ta shkatërronte përfundimisht këtë ekosistem unik dhe do t’i jepte fund vizionit të Parkut Kombëtar të parë të një lumi natyror në të gjithë Evropën.

No comments:

Post a Comment