30 July 2016

Nje shqiperim i mrekullueshem i nje poezie edhe sot aktuale

NA VINI TAKSA!
Jorgos Souris 
Vini or taksa pa mbarim mbi k’ të të varfër shpinë,
vaditeni me gjakun tonë atdheun e mjeruar,
vazhdoni ju, pini shampanjë tek purot venë e vinë,
e ne të rrimë e t’ ju vështrojmë me sy të zgurdulluar
Tatoni dhe atë të shkretë burim që gurgullon…
na vini taksa pa mbarim, kurrizi ynë duron.
E në patëm ndonjë virtyt mbi vete, le të shkojë
e na mbuloftë çerenë e gjorë ngjyra e ligështisë,
edhe bilancin kombëtar me ne ta balancojë,
na vini taksa në çdo kockë e dell të perëndisë.
Nga mishi ynë pritni një thelë të bollshme e plot shije,
dhe hajeni tok me atdhenë shullëhur ndënë hije.
Atë çka hanë të varfërit, të jetë e kombit pjatë,
atë çka pinë të varfërit, kombi ta ketë për ngrohje˙
ju ngopuni porsi Lukulë, me ne plebejtë e ngratë,
e ne me plot përulësi, t’ ju shprehim mirënjohje.
E po, durojmë porsi hajvanë, se k’si havanesh jemi,
e nuk na bëhet as për mbarë të tërë në djall të vemi.
Shumica duhet që të jenë të varfër, të uritur,
ndërsa pakica barkun plot ta ketë përgjithëmonë,
të shumtët brënda në shtëpi të mbyllen neveritur,
të paktët lart ndër qeveri e kllabe natën vonë.
Duhet mileti që është poshtë ta mbajë barrën e rëndë,
edhe pakica për mbi të të ndihet lehtë, si pëndë.
Më këtë ligj u rrit kjo botë e me këtë do rrojë,
fuqisë së tij i rri në gjunjë çdo shoqeri civile˙
s’ ka mundësi çdo kush prej nesh të nis të mbretërojë,
sepse do prishë çdo harmoni në k’ të dynja debile.
Skamje dhe kamje!... një problem në shekuj i pazgjidhur,
që s’ paska as fillim as fund, veç një betejë e hidhur.
Ndaj mos guxojë ndonjë fakir e të lëvizë kapakun,
për projektligjet që valojnë askush mos pipëtijë,
por në altarin kombëtar të vijë e të falë gjakun,
e zemërzeza mos guxojë të qajë, të psherëtijë.
E në i rëntë në llotari një luftë a një gjëmim,
të dalë e të rrëfejë se është: hero, martir dhe trim.
- janar 1883
Shqipëroi: Arqile Garo
Janninë, shkurt 2014

No comments:

Post a Comment