03 July 2016

Kryebashkiakja e Libohoves u drejtohet qytetareve

Ne nje vjetorin e marrjes se mandatit Luiza Mandi ben bilancin dhe flet per projektet



Të nderuar miq,
Rreth një vit më parë unë mora zyrtarisht detyrën e kryebashkiakes së Libohovës, pas besimit që ju më dhatë me votë më 21 qershor.
Sot dëshiroj të ndaj me ju disa prej investimeve që janë realizuar gjatë këtij viti, disa projekte që presin financim apo janë në zbatim e sipër dhe që ndikojnë direkt në zhvillimin e zonës dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Ndonëse nevojat janë të shumta dhe gjithnjë ka vend për përmirësime, për më shumë projekte dhe mbështetje ndaj çdo sektori, unë besoj se jemi në drejtimin e duhur për të konkretizuar gjithë zotimet tona gjatë fushatës, si dhe për të krijuar një perspektivë të re në Bashkinë Libohovë.
Renditja si vijon:
Projekti për rikonceptimin dhe rivitalizimin e qendrës së Libohovës, për të cilin jemi në pritje të financimit nga qeveria.
Investimi në bashkëpunim me UNDP Albania, për sistemimin e shtratit të lumit në Suhë, duke frenuar kështu vërshimin e ujërave dhe shkatërrimin e tokave.
Realizimi i projekteve në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës për restaurimin e Kullës së Sahatit dhe shtëpisë së lindjes së Avni Rustemit.
Ndërhyrja e pjesshme për sistemimin e aksit rrugor nga Kthesa e Libohovës drejt fshatit Suhë.
Punësimi i shumë grave dhe vajzave në sektorin e fasonerisë, falë bashkëpunimit me bizneset që operojnë në këtë sektor.
Financimi nga IADSA (programi italo-shqiptar i konvertimit të borxhit) i projektit për ndërtimin e një strukture rezidenciale për të moshuarit në Libohovë.
Rikonstruksioni i rrugës së fshatit Bulo, projekt që tashmë ka nisur nga zbatimi.
Projekti në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, për restaurimin e Kishës në Labovën e Kryqit.
Investimi për pastrimin dhe sistemimin e kanalit ujitës te fusha e Suhës, duke i ardhur në ndihmë gjithë fermerëve të zonës.
Menaxhimi i mbetjeve urbane përmes një forme të re nga vetë Bashkia Libohovë, jo përmes kompanive private.
Shndërrimi i ish-kinemasë së qytetit në një qendër kulturore, ku zhvillohen aktivitete të shpeshta, kurse muzike, filma, si dhe vihen në skenë shfaqe të teatrit “Zihni Sako”.
Projekti për rikonstruksionin e rrugës së fshatit Labovë e Kryqit.
Rikonstruksioni i rrjetit elektrik të Libohovës, investim që përmirësoi dukshëm cilësinë e furnizimit me energji.
Investimet për pastrimin dhe sistemimin e kanaleve të ujërave të zeza në Zagorie.
Rikonstruksioni i pjesshëm i këndit sportiv në shkollën 9-vjeçare dhe disa rrugëve të brendshme.
Projekti për restaurimin e Kalasë së Libohovës, për të cilin jemi në pritje të financimit.
Rikonstruksione të pjesshme të kanaleve të III vaditëse në fushën e Libohovës.
Projekti për restaurimin e kopshtit të qytetit, për të cilin jemi në pritje të financimit.
Projekti për rikonstruksionin e aksit nga Kthesa e Libohovës te Ura e Suhës, rrugë që lidh 22 fshatra të dy bashkive, Libohovë e Dropull.

Të nderuar bashkëqytetarë,
Si kryebashkiake, por natyrisht edhe si një ndër ju që jetoj në Libohovë, mirëkuptoj të gjithë ata që mendojnë se duhet bërë më shumë për Libohovën, Nepravishtën, Zagorien, Labovën, Bulon, Suhën, Stegopulin e çdo fshat të zonës tonë.
Mirëkuptoj të gjithë ata që kanë pasur dhe kanë ende pritshmëri të larta nga unë si kryebashkiake dhe njerëzit me të cilët unë punoj.
Sërish gjej rastin për t’u zotuar se do të jem maksimalisht e angazhuar për të përmbushur çdo pritshmëri dhe për të vënë në jetë çdo projekt që i shërben qytetarëve, zhvillimit të zonës dhe perspektivës që duhet të ketë Libohova.

Besoj biem dakord që nevojat për investime dhe projekte të reja janë të shumta, ndërsa mundësitë e financimit janë gjithnjë të kufizuara. Megjithatë kjo s’e ndal përpjekjen tonë të përbashkët për një qeverisje vendore në shërbim të qytetetarëve.

No comments:

Post a Comment