Studiues shqiptarë dhe të huaj diskutuan për pasurinë unike të biodiversitetit të lumit Vjosë dhe i kërkuan qeverisë Shqiptare një moratorium 3-vjeçar të përdorimit të tij për hidroenergji.
Autor: Ivana Dervishi | BIRN | Tiranë
Rreth
50 profesorë dhe studiues nënshkruan të mërkurën një kërkesë drejtuar
Ministrisë së Mjedisit në Shqipëri për zbatimin e një moratoriumi 3-vjeçar
mbi ndërtimet në lumin Vjosë dhe degët e saj. Të mbledhur në kuadër të
konferencës shkencore “Vjosa: një mundësi e veçantë për Shkencën Lumore
Europiane”, studiues shqiptarë, gjermanë dhe austriakë të fushave të ndryshme
prezantuan kërkimet e tyre mbi biodiversitetin e luginës së Vjosës dhe bënë
thirrje për mbrojtjen e zonës. Ata kërkuan që autoritetet t’i japin kohë
ekspertëve të bëjnë vlerësime të hollësishme mbi strukturën dhe dinamikën
hidrologjike, sedimentologjike dhe ekologjike, si dhe që Shqipëria të
angazhohet në programet rajonale të BE-së për zhvillimin e qëndrueshëm. Profesoresha
Elda Marku nga Departamenti i Kimisë në Universitetin e Tiranës theksoi
mungesën e studimeve të detajuara nga aspekti kimik për lumin Vjosë dhe bëri
thirrje për më tepër hulumtime. “Ndotja kimike në Vjosë nuk është e mundur të
kuptohet në shkallë reale sepse të dhënat mungojnë. Një raport mbi cilësinë e
lumenjve në Shqipëri në vitin 2014-2015 nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk e
ka përfshirë Vjosën”, tha ajo në konferencë. Studiuesit
shqiptarë diskutuan mbi aspektet gjeografike, biologjike, ekologjike të lumit
Vjosë ndërsa kolegët e tyre nga Universiteti i Vjenës dhe Berlini analizuan
menaxhimin e lumenjve dhe ndanë përvojën e tyre në ruajtjen e ekosistemeve
lumore. Profesori Spase Shumka nga Departamenti i Shkencave Natyrore të
Universitetit Bujqësor të Tiranës shprehu gjithashtu keqardhje për mungesën e
studimeve mbi biodiversitetin e Vjosës. “Vjosa ka një shumëllojshmëri speciesh,
disa prej tyre mjaft të veçanta, të cilat do të zhduken nëse lejojmë
shkatërrimin e lumit. Humbja e Vjosës nënkupton edhe humbje të parkut
Bredhi i Hotovës, pasi ajo shërben si burim për gjallesat”, tha Shumka. “Hidroenergjia
është një nga pesë kërcënimet kryesore që i kanosen Vjosës. Nga kërkimet tona
kemi vërejtur se 90 për qind e specieve po jetojnë nga 2 deri në 6 vjet, kjo
është më pak se jetëgjatësia normale e tyre dhe vjen kryesisht prej HEC-eve”,
përfundoi profesori. Konferenca e organizuar nga Fakulteti i Shkencave të
Natyrës në Shqipëri, Universiteti i Vjenës në Austri dhe Universiteti i
Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës në Vjenë është pjesë e një përpjekjeje
më të madhe për të mbrojtur rrjedhën 270 kilometra të lumit Vjosë. Planet e
qeverisë shqiptare për të ndërtuar hidrocentrale përgjatë Vjosës janë pritur me
protesta të shumta nga mjedisorët dhe janë cilësuar si metoda të vjetra për
shfrytëzimin e lumenjve, të cilat vijnë prej mungesës së një masterplani të
balancuar të prodhimit të energjisë në vend. “Eksplorimet
që bëjmë me studentët e biologjisë i përballin ata me një realitet të
keqmenaxhimit të natyrës gjatë 60 viteve të fundit. Është detyra jonë të
argumentojmë shkencërisht pasurinë e lumit Vjosë dhe arsyet për mbrojtjen e
tij”, tha për BIRN Aleko Miho, profesor i botanikës në Fakultetin e Shkencave
të Natyrës të Universitetit të Tiranës dhe president i EcoAlbania. “HEC-et
bien ndesh me natyrën shqiptare pasi pothuajse në çdo përrua është ndërhyrë me
kanal, digë apo tunel dhe kjo ka dëmtuar mjedisin. Vjosa është pikënisja e
zhvillimit ekologjik të Shqipërisë sepse ka shumë biodiversitet dhe ekosistemi
duhet të ruhet” përfundoi Miho.
Të
njëjtin mendim ndan edhe një nga firmëtarët e parë të memorandumit të ruajtjes
së Vjosës, Martin Pusch, shkencëtar pranë Institutit Leibniz të Ekologjisë së
Ujit të Rrjedhshëm dhe Peshkimit në Brendësi në Berlin, që merret me menaxhimin
e lumenjve. “Ndërtimi
i hidrocentraleve nuk është vetëm çështje e investitorëve privatë, pasi lumi
është trashëgimi kombëtare dhe për këtë arsye fati i tij duhet të diskutohet
gjerësisht në nivel kombëtar,” tha Pusch për BIRN. “Vjosa,
si lumi i fundit i egër në Europë, është një xhevahir që do të ishte një vlerë
e shtuar që Shqipëria do të sillte në anëtarësimin e saj në BE, sepse ka vlerë
të madhe shkencore. Ju keni gjithashtu mundësinë të bindni Bashkimin Europian
për ndjekjen e politikave të zhvillimit të qëndrueshëm”, shtoi ai.
Profesor Friedrich Schiemer nga Universiteti i Vjenës e cilësoi gjithashtu Vjosën si “një laborator natyror që mund të ofrojë të dhënat e nevojshme për kuptimin e proceseve të rinatyralizimit të lumenjve të tjerë të Europës”.
No comments:
Post a Comment