02 June 2016

Si e denuan Musine Kokalarin

"Erdhi dita që do të jepja llogari përpara bangës së akuzuarve. Dolla ke mikrofoni. Më pyeti Kryetari, Frederik Nosi:
- A e pranoni akt akuzën?
- Në bazë të pikëpamjeve tuaja politike, po. Në bazë të pikëpamjeve të mia, jo.
- Mjaft me sofizma - uluriti Frederik Nosi.
- Atëherë është e kotë të më pyetni. Lexoni procesin dhe unë shumë e kënaqur u ula tek vëndi tim. 
Pretenca qe e fortë. Sa herë që vërtitej, gjithmonë akuzohesha unë. Mendova se do më dënonte me vdekje. Veç kësaj, prokurori më akuzoi se mora fajet e të tjerëve sipër. Unë s'thash as jo as po.
Erdhi dita e mbrojtjes së të pandehurve. Unë s'pranova avokat. E përpilova vetë mbrojtjen. Po ama ata nuk dinin se çfarë përmbante. Prokurori më akuzoi se ishim një bllok që donim të përmbysnim Pushtetin. Më dënoi 30 vjet. Unë me mbrojtjen në dorë, u afrova tek mikrofoni. Fillova leximin. Thashë: "Në këtë gjyq janë të pandehur 36 veta. Katër grupe. Në tre grupe kemi vetëm një gjë të përbashkët: një notë drejtuar aleatëve, që të shtyheshin votimet dhe si koalicjon demokratik të mernim pjesë në zgjedhje. Jo për përmbysjen e Pushtetit, po për zgjedhje demrokatike".
Si kryetari, si prokurori u ngritën në këmbë dhe thanë: "Ne nuk lejojmë të vazhdosh mbrojtjen".
- Në qoftë se e ndaloni ju, nuk e lini të burgosurin të mbrohet, unë e lë, se më urdhëruan të mos vazhdoj.
Shkova tek vëndi tim. Pas pak erdhi oficer Manoli dhe më mori mbrojtjen. E dhashë.
Kur thanë për fjalën e fundit, kërkova drejtësi. Kryetari më dënoi 20 vjet. Gjyqi vazhdoi 15 ditë. Më në fund, më shpunë në burg. Kishte pak. Më të shumtat ordinere. Vajtja ime pruri rregulla. Nuk lejohej më takimi jashtë portës, po hapesh një penxhere e vogël tek porta. Erdhën shumë veta të më takonin. Lanë vetëm familjarët."


Nga shenimet e Musine Kokalarit
Publikuar nga : Muzeu Kokalari

No comments:

Post a Comment