Nga Muharrem Jakupi
Kjo poezi është një nga pyetjet në përbërje të testit të lëndës
“Gjuha shqipe dhe letërsia” e cila ka rënë në testin e provimeve të maturës
shtetërore, zhvilluar në qershor të vitit 2014. Mendoj me këmbëngulje se kur
një test dhe çelës përgjigjesh provimi janë “shtetërore” edhe niveli i tyre
duhet të jenë patjetër “shtetërore”. Por duke parë mënyrën e ndërtimit të
pyetjeve rreth këtij teksti poetik si dhe përgjigjet në dokumentin që
zyrtarisht është quajtur “Skema e vlerësimit të testit”, të cilin në vazhdim do
ta quaj shkurt “çelës”, krijova bindjen se në këto dokumente ka moskuptime
profesionale dhe gabime shkencore të një shkalle të papranueshme. Prandaj po i
sistemoj mendimet e mia si më poshtë, duke marrë në analizë poezinë e I.
Kadaresë “Rënia e dëborës”. Teksti i plotë është si më poshtë:
Ty ndoshta nuk të shkoi ndërmend
Se qielli rastësisht s’u mbyll
Se kjo dëborë që shtroi kudo
Në të vërtetë ra për ty.
U projektua çdo kristal
I saj në qiell të madh diku
Dhe nuk pushoi së rëni ajo
Gjersa i gjeti flokët e tu.
Që ti ta shkundje me një gjest
Shkujdesshëm krejt e gjithë gëzim
Një natë të tërë qielli punoi
Me ernat në bashkëpunim.
Dhe në mëngjes i zbehtë ai
I ftohtë hapej madhërisht
Ndërsa shëtisnim ne të dy
Nën altruizmin e tij të hirtë.
Përpara se një tekst i tillë të jepet si test për provim mature
duhet të jetë i analizuar dhe kuptuar shumë mirë nga hartuesit e testit. Duke
parë si pyetjet, ashtu edhe përgjigjet e provimit të maturës, mendoj se teksti
poetik nuk ka qenë i kuptuar në nivelin e duhur nga ana e komisionit të
hartimit të testit. Ky tekst poetik duket më tepër sikur është lexuar fjalë për
fjalë si një esé dhe jo si një “gjuhë e rendit të dytë” e cila, përveç
sipërfaqes, mund të ketë edhe thellësinë. Poezia në fjalë është pak
“abstraksioniste”, shprehje e një prej specifikave thelbësore të përgjithshme
të stilit të I. Kadaresë. Në shumicën e veprave të veta, ai bën objekt tematik
pasojën, me qëllim që gjurma të flasë tërthoras dhe në mënyrë të nënkuptuar për
cilësi të tjera të objektit, që zakonisht nuk dalin në tekst, por qëndrojnë pas
tij, vetëm në dispozicion për t’u nënkuptuar. Prandaj I. Kadareja, si rregull,
kërkon një “lexues model”, përndryshe interpretimi i teksteve të tij mund të
shkojë në drejtimin e gabuar ose të dështojë.
Këtë poezi unë vetë e konsideroj të vështirë për nivelin e maturantëve.
Më e përshtatshme mund të ishte një poezi e tipit “Kur të jesh mërzitur shumë”
e D. Agollit, e cila ka një strukturë shumëshkallëshe të idesë dhe emocioneve
që ngërthen teksti, por ajo ka një strukturë transparente të ndërtimit.
Vështirësia e poezisë “Rënia e borës” qëndron në unitetin organik dhe
sintetizmin e elementeve përbërëse, që po nuk ia gjete çelësin “e duhur” për ta
zbërthyer, detajet apo shtresat e shkëputura nuk vlejnë dhe nuk mund ta
rindërtojnë poezinë në mënyrë besnike e koherente. Gjithë ndërtimi lidhet pas
një ideje-figurë që në rastin tonë qëndron poshtë tekstit. Atje qëndron shkaku
thellë e i padeklaruar se përse “kjo dëborë që ra kudo/ Në të vërtetë ra për
ty”.
Në vijim të tekstit jepet vetëm pjesë të caktuara të shkakut, që
duket se të bindin për plotësinë e tij. Si të tilla mund të rendisim: rënien e
dëborës mbi flokë, shkundjen e dëborës prej “saj” me një gjest të shkujdesur e
gjithë gëzim. Mirëpo poezia ka thënë pak më sipër: “Se kjo dëborë që shtroi
kudo/ Në të vërtetë ra për ty.” Kjo do të thotë për “ty” të tërën dhe jo
thjesht për të të dhënë kënaqësinë e gjestit, sado të bukur, të shkundjes së
borës nga flokët. Përndryshe nuk do të ishte e motivuar strofa e fundit që flet
për altruizmin e qiellit. Altruizmi është pikërisht e gjitha “kjo dëborë që
shtroi kudo”, duke rënë jo thjesht si një dhuratë, por më tepër si një meritë
për “ty”. Pra, kjo borë është një dhuratë për një meritë! Cila është merita?
Nuk thuhet askund thelbi i saj, por vetëm disa detaje: flokët dhe shkundja me
një gjest të shkujdesur që fal gëzim.
Atëherë dëbora nuk ka rënë vetëm për hir të një detaji konkret
“të vetëm, siç thuhet në pyetjen 23/b të testit, po për tri arsye të
artikuluara në poezi: flokët, gjesti i shkundjes dhe gëzimi i brendshëm. Mirëpo
këto tri cilësi, duke mos qenë vetëm pjesë e portretit fizik, na bëjnë që të
kthehemi tek e tëra “ajo”, e cila e meriton gjithë këtë punë e mundim të
qiellit e të dukurive të tjera atmosferike, që krijuan dëborën. Ato madje kanë
bërë një “punë” krejt të posaçme (“në të vërtetë ra për ty”) dhe tepër të
kujdesshme e fine (“u projektuar çdo kristal”). Prandaj poezia hapet me një
personifikim të gjerë të të gjithë elementeve e dukurive të qiellit që marrin
pjesë në krijimin dhe rënien e dëborës, duke i dhënë kësaj dukurie qëllim në
gjithë këtë gamë veprimesh, që e hedh borën posaçërisht për “ty”. Dhe ky
personifikim shtrihet në të katër strofat e poezisë.
Nëse teksti zbulon një qëllim të rënies së borës, atëherë ky
qëllim qëndron thellë në shkakun që ka i tërë qielli, ndërkohë që ky shkak, nga
ana e vet, duhet të qëndrojë në një meritë të “asaj”. Gjer në këtë fazë të
arsyetimit nuk mund ta dimë se cila është merita konkrete, por dimë se kjo
meritë është tepër e madhe, meqë për këtë “ty” është punuar gjatë, me shumë kujdes
e shije dhe nga një numër kaq i madh faktorësh. Këtu kemi arritur pikërisht tek
pjesa hiperbolizuese e tekstit të poezisë. Por çfarë hiperbolizohet, në fakt.
Poetikisht objekti i hiperbolizimit është pikërisht femra e thirrur në tekst me
përemrin “ti” (“ty” ndoshta nuk të shkoi ndërmend; ra për “ty”; flokët e “tu”;
shëtisnim ne të “dy”, d.m.th. “unë” dhe “ti”).
Për çfarë cilësish hiperbolizohet? Për shkakun se “ajo” është “e
tij”? Jo vetëm për këtë; një konkluzion i tillë del vetëm nga konteksti. Analiza
e këtij konteksti sikur na çon në përfundimin se femra këtu i ka të gjitha
cilësitë të përkryera gjer në shkallën më të lartë, aq sa edhe qielli nuk mund
të rrijë dot pa i bërë asaj një përkushtim “pasionant”, sa ç’është përgatitja
dhe hedhja e një bore kaq të madhe, si dhuratë për cilësitë e larta femërore të
saj. Ky motiv nuk mund të mos jetë një arsye tepër e fortë që “ajo” të jetë
edhe “e tij”, në atë masë sa është ajo edhe objekt i nderimit prej qiellit të
personifikuar.
Duke hyrë në konvencionet e mënyrave tipike të shprehjes prej
artit poetik si dhe në “ndërlikimet” e teorive të interpretimit, mund të thuhet
pa mëdyshje se gjithçka që vlerëson dhe bën qielli këtu nuk është tjetër veçse
ajo që do të donte të bënte pikërisht “zëri lirik” për femrën pranë tij. Por
duke e shndërruar këtë dëshirë të vetën në qëllim e realizim material prej një
fuqie të madhe kozmike, ndoshta edhe për faktin se një dhuratë të kësaj natyre
zëri lirik nuk mund ta realizonte dot kurrë, ky e spastron krejt karakterin
subjektiv dhe duket sikur e objektivizon plotësisht ndjenjën e vet në aktin
dhurues të qiellit. Në këtë mënyrë të gjitha vlerat dhe hiret e femrës
hiperbolizohen më shumë se përmes një përkushtimi personal, pasi
konvencionalisht zëri lirik e largon këtë përkushtim nga vetja. Sigurisht që
ideja e T. S. Eliotit se poezia e mirë i objektivizon ndjenjat nuk mund të jetë
absolute, po në poezinë e I. Kadaresë ajo përbën një zbatim në shkallë mjaft të
gjerë.
Duke e paraqitur femrën “pranë tij”, poezia sigurisht që e trajton
temën intime. Por duke e përfshirë idenë e cilësive të larta femërore në një
personifikim tërësor të të gjitha elementeve qiellore që morën pjesë me zell në
“prodhimin” e borës, si dhuratë për “të”, poezia patjetër që e trajton edhe
motivin e natyrës. Duhet ta kemi fort parasysh faktin se të katra strofat e
poezisë janë të mbushura me detaje dhe terma mbi peizazhin. Fjalë çelës të
poezisë janë pikërisht “rënia e borës” dhe “altruizmi i qiellit”. Për të dyja
këto arsye, semantikisht poezia paraqitet ambiguine, gjë që e bën temën e saj
të dyfishtë: intime dhe të peizazhit.
Një motiv këtu, disi më i fshehur, mund të jetë edhe adhurimi i
femrës si të ishte një kult, e marrë në vetvete, jashtë lidhjeve “pronësore” me
një “unë” mashkullor. Kjo prirje tematike duket tepër qartë në poezi të tilla
si “Pas darke”, të I. Kadaresë, ku “gratë” atje janë në numër të papërcaktuar,
aq sa mund të thuhet se në atë krijim përfshihet gjithë gjinia femërore, krejt
pa përkatësi “pronësore” karshi ndonjë mashkulli. Sepse aty bëhen objekt
cilësitë e larta femërore, feminiteti në përgjithësi. Pikërisht ky bëhet objekt
kulti e adhurimi poetik.
Edhe në poezinë “Pas darke” nuk bëhet objekt i drejtpërdrejtë i
poezisë shkaku, d.m.th. cilësitë e larta dhe feminiteti i tyre, por pikërisht
pasoja: aftësia e buzëve dhe e frymës femërore për të ngjallur e për t’i dhënë
jetë edhe qelqit të akullt; në mënyrë analoge me aktin e krijimit të njeriut,
sipas Biblës. Tema e feminitetit në këtë krijim është përvijuar gjithashtu në
mënyrë edhe më abstrakte sesa në poezinë “Rënia e borës”.
Pasoja në vend të shkakut jepet po aq qartë edhe në poezinë “Të
verbrit në Paris”. Në këtë poezi, fjalë për fjalë, thuhet se të verbrit më të
mjerë se kudo tjetër ndihen në Paris dhe se, nëse nuk ua sjell dot shikimin as
bukuria e Parisit, ata janë pa shpresë se mund t’u vijë shërimi nga optika e
mjekësia. Por nëse bukuria e Parisit në këtë poezi pohohet shprehimisht, krejt
qëllimi i poezisë është që ajo të hiperbolizohet përmes nënkuptimit. Dhe këtë
hiperbolizim, që mund ta kishte më të vështirë artistikisht ta shprehte në
mënyrë të drejtpërdrejtë, autori e ka realizuar duke shtruar në nëntekst një
“arsyetim” poetik të tipit shkakësor: nëse as bukuria e Parisit nuk mund të
shërbejë si shkak për sjelljen e shikimit, atëherë pasoja dihet: të verbrit do
të mbeten përjetë të tillë. Prandaj më të mjerë se kudo të verbrit ndihen
pikërisht në Paris, sepse vetëm atje atyre u bëhet e qartë pamundësia për t’u
ardhur shikimi ndonjëherë.
Çdo interpretim tjetër, alternativ, do të ishte i pranueshëm
vetëm nëse teksti e mbështet atë plotësisht. Ashtu sikurse ky interpretim mund
të bjerë nëse teksti nuk e mbështet me të gjitha elementet e veta, gjer tek
logjika artistike e detajeve të imëta, por me vlerë sadopak relevante për
domethënien dhe strukturën e tekstit.
Poezia “Rënia e dëborës” shkrin në një të vetme bukurinë sublime
të femrës në harmoni të plotë me “madhështinë” dhe bukurinë e natyrës. Kjo “e
nderon” përkryerjen e krijesës femërore - objekt i poezisë, duke i dhuruar asaj
pikërisht këtë bukuri dëbore, si pjesë organike e vetë natyrës.
Referuar besnikërisht tekstit të dhënë, poezia nuk është domosdo
poezi dashurie, por gjithsesi nuk bie nën nivelin e një adhurimi pasionant.
Vetat “unë” dhe “ti” nuk janë patjetër dy “të rinj”, prej nga do të rridhte se
“ajo” nuk është patjetër “vajzë”. “Ajo” mund të jetë edhe një mesogrua ose e
moshuar. Sintagma “kjo dëborë... ra për ty” formalisht përbën një shprehje të
këmbimit të pasojës me shkakun e vërtetë. Si dukuri natyrore rënia borës ndodh
objektivisht e “për pasojë” mund të bjerë mbi këdo dhe, vetëm në këtë kuptim,
për këdo. Por sipas poezisë bora ra “për shkak tënd”. Dhe kështu
“objektiviteti” i mundshëm eklipsohet nga subjektiviteti. Mirëpo shprehja “kjo
dëborë... ra për ty” është e përfshirë në tërë strukturën e personifikimit dhe
gjithçka që paraqitet si subjektivizëm, përbën në thelb një objektivizim të
ndjenjave të zërit lirik, në mënyrën siç e kemi shpjeguar më sipër.
Prandaj mund të themi se teksti as nuk flet dhe as nuk nënkupton
posaçërisht një “vajzë” e një “djalë”, “dy të rinj” apo “dy të dashuruar” që i
shprehin “emocionet” apo “ndjenjat” njëri-tjetrit “në sfondin dimëror”. Sepse
tekstit nuk i duhet, prandaj edhe i mungon çdo element i portretizimit fizik të
personave të vënë në qendër të saj. Për këtë arsye ideja e shprehur në çelës se
qielli “e zbukuron vajzën më shumë me kristalet e borës që i hedh qëllimshëm
mbi flokë” mbetet një hamendësim a përfytyrim personal dhe i pavullnetshëm i
një interpretuesi (lexuesi) të caktuar, por jo si pjesë e “strukturave
objektive” të tekstit, falë ekzistencës së të cilave në themel të teksteve
gjegjëse letërsia është bërë e mundur si lëndë qysh prej Antikitetit.
Prandaj nuk mund të shpallet me siguri si një “interpretim i
plotë” ideja se “autori përqendrohet vetëm te flokët e vajzës. Mesa duket,
flokët janë diçka e rëndësishme, tërheqëse, që atij i bëjnë më tepër
përshtypje. Janë shenjë feminiliteti, delikatese.” Siç nuk qëndron ideja se në
tekst “theksohen flokët si element bukurie”, aq më e papranueshme është ideja
se “qielli shfaqet si aleat i bukurisë së vajzës.” Çdo të thotë në kontekstin e
kësaj poezie “aleat” i një bukurie që nuk pohohet shprehimisht, ndryshe nga
“madhështia” e qiellit? Po përkufizimi i qiellit si “bashkëpunues” nga buron?
Të dyja këto terma apo kërkesa veç mund ta hutojnë nxënësin dhe i mësojnë atij
metodën më të gabuar të sjelljes me tekstin letrar. Ca më keq kur
“bashkëpunuesi” është term i mbartur direkt nga teoritë narratologjike dhe
nënkupton një rol të caktuar të një kategorie personazhi në ekonominë e
përgjithshme të një vepre epike.
Supozimet me “pro” ose “kundër” për përdorim në tekst të
teknikës së kontrastit janë krejt pa baza. Edhe diskutimi për “sfondin” nuk do
të ishte poetikisht frytdhënës, pasi ai përmendet vetëm për të plotësuar me
detaje tekstin që të çon tek ideja me peshë e altruizmit të qiellit.
Përndryshe, “simbolika” e “zbehtësisë”, “ftohtësisë” dhe ngjyrës “së hirtë” të
tij mund të na çonte tek ndonjë pesimizëm i mundshëm apo perceptim mbylltësie
të tij, ndërkohë që qielli “I ftohtë hapej madhërisht”.
Brenda kontekstit konkret, me sa duket, poezia nuk synon drejt
“procedurave” apo motivimeve simbolkrijuese. Prandaj “kristali” nuk mund të
merret si përfaqësues i diçkaje që është edhe vetë e në mënyrë të
drejtpërdrejtë i pranishëm në tekstin e poezisë në fjalë. Aq më pak kur në këtë
akt të madh përkushtimi e adhurimi ndaj një femre të gjitha elementet natyrore
të përmendura, ku kristalet janë thjesht një ndër pjesët përbërëse, do të ishin
po aq të denja si simbole. Aq më pak mund të thuhet “a priorí” dhe jashtë një
konteksti konkret se “kristali nënkupton diçka të bukur, të brishtë, delikate,
të thyeshme, të përsosur”. Le të kujtojmë se, për shembull, kristalet e diamantit
janë më të fortat midis llojeve të shumta të kristaleve që gjenden në natyrë...
SHËNIM: Kjo analizë, por shumë më e gjatë, pasi ka pasur në
përbërje edhe KRITIKËN e përgjigjeve "të sakta" të testit të
provimeve të maturës (“Skema e vlerësimit të testit”) i është dërguar Kabinetit
të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve fill një ditë pas zhvillimit të provimit
të maturës shtetërore në lëndën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë që zhvillohet
në gjimnaz.
No comments:
Post a Comment