Keto dite Keshilli Bashkiak i Gjirokastres i dha titulline Larte "Qytetare Nderi"
nw Gjirokaster Vllasova Musta. Po kush eshte ajo ? Po ribotojme nje interviste te botuar nga gazeten "Telegraf"
Babai im pas Gjimnazit të
Gjirokastrës, kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake të
Milanos. Më pas, në vitin 1949 shkoi në Akademinë Frunze, në ish
Bashkimin Sovjetik e në vitin 1961 përfundoi Akademinë
Voroshillov, në Moskë, që ishte niveli më i lartë i studimeve
ushtarake. Pra, ishte një oficer karriere, me profesionalizëm të
admirueshëm, me përkushtim dhe korrektesë absolute në çdo aspekt
jetësor. Kishte një dashuri të veçantë për librin dhe mua si
fëmijë, prej tij më ka mbetur në kujtesë mënyra se si lexonte:
përherë i ulur në tavolinë, me librin përpara dhe me një
tregues në krah të librit, që e përdorte kur ndërpriste leximin,
kurrë nuk e përthyente faqen e librit! Nëna ime kishte kryer
Shkollën Tregtare në Vlorë, e donte librin, lexonte, por edhe
kishte kënaqësi të fliste për të. Ishte 80 vjeç kur u nda nga
kjo jetë, por iku duke pasur një libër në dorë… Këta ishin
prindërit e mi, që na merrnin përdore kur ishim të vegjël e na
argëtonin me shëtitje apo piknikë në vende të bukura e teksa
rriteshim, ishin ata që na çuan për herë të parë në kinema, në
cirk e më pas na mrekulluan duke na futur në botën e magjishme të
teatrit, ku lëviznin njerëz realë e që për mua fëmijën, ishte
një mrekulli dhe emocion i papërsëritur…
Rinia
Rinia ime ka qenë e
bukur, e plotë, e shëndetshme. Ka qenë rini me ëndrra, me libra,
dhe tepër aktive. Fillova të shkruaj herët dhe poezinë e parë e
kam botuar kur isha gjimnaziste. E kujtoj fare mirë, më ka mbetur
në kujtesë, ka qenë ditë e diel, nëntor dhe në gazetën “Drita”
ishin botuar poezitë e mia! Në qytetin e Gjirokastrës, ku jetoja
në ato vite, kishte një dëshirë të veçantë për librin dhe
dijen në përgjithësi. Dola për të blerë gazetën, si zakonisht,
dhe veç kur fillojnë e më urojnë të njohur e të panjohur. U
mrekullova dhe rrugën deri në librari e kam bërë jo duke ecur,
por thuajse fluturoja. Gati, gati nuk po e besoja as vetë. Kaq
shpejt i botuan! i kisha dërguar para pak ditësh dhe sinqerisht nuk
e prisja. Ajo ditë ka qenë e magjishme, nga më të mrekullueshmet,
e veçantë dhe e paharrueshme…Me gazetën në dorë renda për në
shtëpi dhe atë ditë gjithçka më dukej më e madhe, më e bukur,
më me ngjyrë. Të nesërmen, në shkollë, për shokët dhe shoqet
e mia unë isha “personazhi i ditës”. Ishte vërtet bukur!
Pas kësaj, vazhdova të
botoja herë pas here dhe krahas botimit të poezive filluan të më
vinin letra me urime nga të rinj e të reja nga gjithë Shqipëria.
Ishte koha kur letra kishte tjetër dimension dhe tjetër
vlerë.Librin e parë e kam botuar kur isha në gjimnaz dhe
titullohej “Pa kopertinë”, ndërsa librin i fundit, me titull e
“Kthema diellin, Tim” e kam botuar para pak vitesh.Kam kujtime
mjaft të bukura që lidhen me të. Unë kisha botuar një cikël me
poezi, ku ndër të tjera ishte edhe ajo me titull “Xhaketa e
Kuqe”. Kompozitori i talentuar Feim Ibrahimi e pëlqeu këtë poezi
dhe bëri këngën, që u prezantua në Festivalin e Parë të Këngës
së Ushtarit. Unë isha studente dhe në atë kohë ndodhesha në
aksionin për ndërtimin e hekurudhës Elbasan- Përrenjas. Me shumë
peripeci arrita të marr dy ditë leje për të ardhur në Tiranë,
që të isha e pranishme në Festival. Në sallën e Teatrit të
Operas dhe Baletit, ku zhvillohej Festivali, ishte dhe im atë.
Këngën e kënduan Justina Aliaj dhe Liljana Kondakçi.Tingëlloi
mjaft mirë dhe u prit me duartrokitje të pafundme. Unë, studentja
e ardhur nga aksioni, ku kisha lënë pluhurin, diellin përvëlues,
tokmakun dhe borinë, që na bënte zgjimin herët në agim e na
vinte në rreshtore, mbeta si e ngrirë nën breshërinë e
duartrokitjeve. Kënga fitoi çmimin e
parë dhe të them se kjo më gëzoi, ishte pak. Kur po dilnim, tek
holli takova babanë, më përqafoi dhe ndjeva se ai ishte i ngopur
me gëzim. Poezinë e kisha shkruar për të, ajo u bë këngë dhe u
shpall fituese. Ai ishte i lumtur si rrallëherë. Papritur e pamë
veten të rrethuar nga shumë miq, nga të njohur e të panjohur që
më uronin mua dhe babanë. Ka qenë një mbrëmje e paharruar… Të
nesërmen u nisa për në aksion. U riktheva përsëri tek puna, mes
shokëve të mi studentë dhe së bashku festuam në një mbrëmje
rinore. Të punoje në Kinostudio ishte një fat i madh dhe unë
fillova punë aty, fill pasi mbarova studimet e larta. Kinostudioja
ishte si një oaz, ku merrte krahë dhe jetë krijimtaria artistike,
ku pulsonte dhe merrte rrugë ëndrra më e madhe, aty kishte një
ambient që të nxiste të bëje gjëra të bukura, të kërkoje dhe
të realizoje më të mirën.Mbi të gjitha, aty kishte njerëz të
mrekullueshëm, që të bënin të ndiheshe se ishe pjesë e një
familjeje të madhe, që të jepte shumë dashuri dhe përkrahje.
Mund të them pa e tepruar, se në Kinostudio ekzistonte një frymë
dashamirësie për njeri tjetrin, që zor se e gjeje tjetërkund. Unë
e pata këtë fat! Fillova punë aty në vitin 1971 dhe u largova në
vitin 2002, mbi 30 vite të mbushura me emocione, me kujtime dhe me
shumë mirënjohje për të gjithë ata njerëz, që m´u bënë
pjesë e pandarë e jetës sime.
Puna ime e parë ka qenë
një skenar, e që shkrova për Tefta Tashko Koçon. M´u desh të
kërkoja e të shfletoja shumë në Arkivin Qendror të Shtetit, të
takoja njerëz të afërt të saj, specialistë të muzikës dhe në
këtë mori takimesh që kam pasur, ruaj në kujtesë takimin me
artisten Lola Gjoka, që më fliste me një delikatesë thuajse të
brishtë, me një mall të mbështjellë brenda një qetësie të
rrallë e me një kujtesë të habitshme për Tefta Tashko Koçon,
miken e saj të madhe, që e kish shoqëruar në piano hap pas hapi.
Mbresë të fortë dhe mjaft prekëse më ka lënë dhe takimi me të
birin, Eno Koçon, që edhe pseishte i përmbajtur në dukje, por me
një drithërime të pakrahasueshme ndjeshmërie dhe dhimbsurie për
të dhënë më të mirën për nënën e tij. Në takimet me të kam
përjetuar atë, që për mua ishte shumë e prekshme: ai mbartte në
shpirt brengën e fëmijës së rritur me mungesën e nënës dhe
tashmë kërkonte, që në film ajo vetëm të shkëlqente, ashtu siç
kishte shkëlqyer në jetë dhe për këtë, ai vuri në shërbim të
filmit, gjithçka që ruante nga nëna e tij. Ka qenë një
eksperiencë e madhe, që më ndihmoi në vitet në vazhdim. Në
punën time si skenariste kam shkruar me dhjetëra skenarë për
filma dokumentarë, të tillë si: “Këndon Tefta Tashko Koço”,
“Pranë hapave të parë”, “Heshtja e armëve”, “Prite,
prite Skënderbenë”, “Mjeshtri dhe nxënësit e tij”, “Vatër
dije, vatër lirie”, “Banorë të rinj buzë Jonit”, “Njeriu
që kapërceu shekujt”, “Meteori i skenës” etj.etj Krahas
filmit dokumentar, kam shkruar mjaft skenarë për filmin vizatimor,
ndër të cilët veçoj: “Në pyllin me bredha”, “Dy
vëllezërit”, “Kërpudha”, “Lëkura e Luanit”, “Për dy
metër tokë”, ”Balada e Druvarit”, “Loja e Djallit” e
mjaft të tjerë… Ajo që dua të veçoj nga puna ime në
Kinostudio është fakti se çdo skenar e kam shkruar me shumë
dashuri, me një përkushtim krijues për të dhënë më të mirën
e më të bukurën dhe më është kthyer i plotë ky përkushtim,
kur jam shpallur fituese e Kupës për skenarin më të mirë në
disa prej Festivaleve të Filmit Shqiptar. Për Vllasova Mustën
vajzën e bukur gjirokastrite, poeten, cila ishte forca që detyroi
aktorin, regjisorin e madh Kujtim Spahivogli t`i shprehte dashurinë
dhe më pas të lidhte martesën? E vështirë kjo pyetje se mendoj
që, nuk më takon mua t`i bëj dritë kësaj enigme, por mund të
them vetëm këtë: ndryshe nga shumë vajza të tjera, unë nuk
renda pas shkëlqimit të Kujtimit. Ne e njihnim njëri tjetrin në
distancë, ai më njihte vetëm si emër, si poete, unë e njihja si
regjisor dhe aktor. Unë isha vetëm 19 vjeç, kur një ditë u
gjendëm përballë njeri tjetrit, në Kongresin e Lidhjes së
Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ai më pa dhe shtangu, unë e pashë
dhe ngriva! Ai pyeti dikë se “kush është ajo vajza?”, i thanë
si quhesha dhe kaq mjaftoi, më thirri sikur më njihte prej kohësh.
Unë iu avita dhe s`po flisja. Ai më shihte, qeshte i gjithi dhe më
përqafoi sikur më rigjeti pas kaq e kaq kohësh! Nisëm të
bisedonim sikur të ishim miq të vjetër e jo të sapo njohur…Nga
ai çast ishim përherë bashkë për një kohë të gjatë, dhe
martesa erdhi krejt natyrshëm. Unë asnjëherë nuk ia kërkova
martesën, asnjëherë, ne e donim njëri tjetrin, por unë nuk doja
që ai të ndihej i detyruar për ta bërë atë hap, për të cilin
kish hezituar vite e vite me radhë, para se të njiheshim bashkë.
Një ditë, në fillimvjeshtë, teksa më priste në vendtakimin
tonë, (do të shkonim tek miqtë e tij, Skënder dhe Vitore
Sallaku), unë mbërrita, dhe ai më përfshiu të tërën e tek më
mbante përqafuar, befas i shqetësuar më largoi, për të më parë
edhe më mirë e më tha: “Ç`e ke këtë drithërimë?”
“Po, ja mjafton mendimi
që po vija drejt teje dhe më kap emocioni…”, munda t`i them,
por më tepër se sa fjalë ishin mërmërimë dhe dorën e mbaja
afër zemrës se më bëhej sikur po më dilte vendit. Ai qeshi me
zërin e tij kumbues dhe më tha: “Ja, për këtë drithërimë të
shpirtit kam pasur nevojë, asgjë tjetër nuk do të kërkoja!”
Pas këtij momenti u gjendëm në bulevard dhe teksa po ecnim, si në
përhumbje ndjeva se krahu i tij më kish mbështjellë rreth vetes.
Instiktivisht desha ta largoja se rrugës përballeshim me të
njohur, që po na shihnin habitshëm, por ai më kundërshtoi dhe më
tha: Jo krahun që nuk do ta heq, por do thërras me të madhe: E
mora Vllasovëëëën! … Në vizitën që bëmë, tek familja
Sallaku, sapo u futëm brenda, ai iu tha: Po ju jap një lajm që do
gëzoheni, kjo është nusja ime! Ajo ishte darka e parë që festuam
mes miqsh dhe unë u ndjeva si në qiellin e shtatë. Kujtim
Spahivogli për mua ishte dhe mbetet njeriu i vlerave dhe virtyteve
të rralla. Nuk mund të veçoj vetëm një vlerë. Ai ishte një
univers, brenda të cilit merrte frymë Njeriu i Madh në të gjithë
dimensionin e të qenit Njeri, aty ishte artisti, në përmasat e një
uragani gjithëpërfshirës, aty ishte burri, miku dhe shoku që
rrallë, shumë rrallë mund t`i gjesh në jetë.madh sepse, unë
doja të ishte vajzë dhe kaq ngulmuese m`u bë kjo dëshirë saqë
vetvetiu m`u krijua një siguri gati absolute, që do të lindja
vetëm vajzë dhe vajza erdhi! Atë ditë kemi qenë të lumtur dhe
vetëm të lumtur! Kur unë, sapo kisha sjellë në jetë vajzën dhe
isha ende në sallën e lindjes, një mjeke erdhi drejt meje dhe më
dha një tufë të madhe me trëndafila, që ma vuri pranë gjoksit,
duke më thënë:T`i dërgon Kujtimi, është tek hyrja e
maternitetit, po fluturon nga gëzimi… dhe veç kur mes tyre, gjej
një letërz shkruar prej tij, me shumë dashuri dhe një ngrohtësi
të rrallë, siç dinte ta shprehte vetëm ai. Brenda tij, kishte lindur
një tjetër dimension, ai i babait, që do të ishte deri në fund
vetëm përkushtim, përmallim dhe adhurim për të bijën. Nuk di se si u ndjeva në
atë çast dhe qava.
M`u duk sikur papritur më
erdhi aty, ishte fare pranë meje, shumë pranë. Pas dy ditësh, ai do të
nisej për në Shkup, ku do të vinte në skenë komedinë
“Karnavalet e Korçës”. Emrin e vajzës e kishim
gjetur prej kohësh të dy bashkë, para se të lindte, do ta quanim
Andeta, është emër që e krijuam vetë, sepse të dyve na pëlqente
shumë deti, ndërsa para se të nisej për në Shkup, Kujtimi më
tha: “Sikur t`i thërrasim shkurtimisht Ani?” dhe kështu i
thirri ai, i pari dhe kështu i thërras unë dhe të gjithë të
njohurit, shokët dhe miqtë e saj. Këtë emër, pas një viti
kërkoi t`ia vinte vajzës së tij, Ferdinand Radi, mik i dashur i
Kujtimit dhe ne i thamë, dakord, le të bëhen dy Andeta. Nuk di a e
ka tjetërkush këtë emër… Drama në familje, si nisi, si u
zhvillua dueli mes dashurisë dhe padrejtësisë. Si e keni përjetuar
dënimin e bashkëshortit tuaj? Kujtimi qëndroi tre muaj në Shkup
për vënien e shfaqjes. Punoi intensivisht për të, shkoi pas një
përgatitjeje të hollësishme deri në detaje për atë që do të
realizonte dhe shfaqja pati një sukses të jashtëzakonshëm dhe u
vlerësua nga kritika për konceptimin modern regjisorial. Kur trupa
erdhi në Tiranë, ajo shfaqje u duartrokit gjatë në Teatrin
Kombëtar dhe Kujtimi u ndje mirë për vlerësimet që mori.
Vazhdonte të flitej për suksesin e shfaqjes, por befas, kjo
atmosferë papritur u pre. Filloi të dilte në pah një vorbull e
frikshme, lëvizëse që nuk po kuptohej se ku do të ndalte. Goditja
ra mbi Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin. Ky i fundit, ishte jo
vetëm anëtar i Komitetit Qendror të Partisë, por edhe njihej si
një nga dramaturgët më të suksesshëm. Kujtimi kishte vënë në
skenë disa prej dramave të tij, ndër të cilat:”Shtëpia në
bulevard”, “Ngjarje në fabrikë” etj. U organizuan mbledhje të
kolektivave, ku u kërkua që të dënohej ky “grup armiqësor”.
Kujtimin e përfshinë në këtë grup duke e etiketuar si mbështetës
të Fadil Paçramit sepse ai, nuk pranoi të ngrihej e të fliste
kundër tij.
Filluan të bëheshin
mbledhje të gjata në Akademinë e Arteve, ku ai ishte pedagog dhe
kujtoj një natë, në orët e vona, pas mesnate, kur e prisja
jashtë, me vajzën të vogël në karrocë, deri sa të mbaronte
mbledhja. Kur doli, ishte shumë i tronditur dhe më tha: Ata duan,
që unë t`i kundërvihem Fadilit, por unë, ç`kam pasur për t`i
thënë, probleme pune, ia kam thënë ballazi, kur të tjerët nuk
guxonin kurrë të flisnin. Tani, unë nuk mundem t`ia rikujtoj atij,
ato që ia kam thënë njëherë, vetëm e vetëm për ta groposur.
sepse unë dua, që edhe pas njëzet vjetësh, kur ta shoh Fadil
Paçramin, ta shoh drejt e në bebëz të syrit e mos të ul sytë
para tij! Nuk kam për ta harruar
kurrë me sa vendosmëri m`i tha të gjitha këto, që më tepër se
sa një shpërthim i kurajos dhe karakterit të tij të fortë, më
tingëlluan sikur kishte nevojë t`ia thoshte edhe njëherë vetes me
zë të lartë. Pikërisht në këtë
kohë, Kujtimi po vinte në skenën e Teatrit të të Rinjve dramën
e Majakovskit “Banja” e cila fshikullonte “aparatçikët” apo
zyrtarët e lartë, që harronin se në shërbim të kujt ishin dhe i
jepnin vetes atributet e perëndive. Konceptimi i tij regjisorial,
mizasenat dhe çdo detaj tjetër ishin ndërtuar në mënyrë
fanastike dhe krejt shfaqja kishte një frymë moderne dhe tingëllimë
të fortë fshikulluese. Shfaqja u quajt si kundërvënie ndaj
regjimit socialist. Fillimisht e hoqën nga puna si pedagog, më pas
dhe nga Tirana dhe e çuan në një Ndërmarrje Bujqësore të
Fierit. E përjashtuan edhe nga Partia, ku kishte hyrë që në
moshën 16 vjeçare. Kjo ishte një goditje fatale që erdhi me
shpejtësi rrufeje. Duke qënë në çdo moment pranë tij, unë e
shihja se si po përpëlitej në këtë vorbull që po e përpinte
dhe mendova të ndërmerrja një hap, i thashë se do kërkoj të
takohem vetë me njërin nga sekretarët e Enver Hoxhës në
Komitetin Qëndror të Partisë dhe t´u them, se ti nuk e meriton
këtë ndëshkim. Ai fillimisht nuk deshi, por më në fund, pranoi.
Kërkova takim me Sevo Tarifën, të cilin e njihja dhe më njihte
mjaft mirë, më priti dhe pyetja e parë që më bëri ishte
Për problemet që i janë
krijuar Kujtimit, i thashë, ai është krejtësisht i
pafajshëm…Teksa unë i kujtoja se kush ishte Kujtimi ai më
ndërpreu duke më thënë: “Ti e njeh sot Kujtim Spahivoglin,
ndërsa Partia e njeh prej vitesh dhe ai ka qënë gjithnjë i
survejuar dhe ne e dimë më mirë se sa ty, se kush është ai.
Nesër, ai pritet të arrestohet e të shkojë në burg, çfarë do
të bësh ti me gjithë vajzën e vogë. Mendova se erdhe të më
marrësh mendim si prind, kurse ti më vjen e më tregon se kush
është Kujtimi. Nuk duhej të kishe ardhur fare… Toni autoritar, i
prerë dhe tepër i ftohtë që ndjeva përballë meje më trembën.
Ai u tregua krejtësisht i distancuar nga njohja familjare që kishte
me prindërit e mi, por dhe me mua. Nuk më la asnjë hapësirë për
të folur më tepër. Kjo më trembi. Kaq ishte takimi dhe unë dola
prej andej e përlotuar, pa ditur nga të shkoja prej hutimit dhe
goditjes që mora. E ndërmora atë veprim, e sigurt se do zgjidhja
situatën e rëndë, duke menduar se ata lart ishin të dezinformuar
dhe unë do i sqaroja…Kur e sjell ndërmend sot, e gjykoj si një
veprim naiv, por ç´mund të bëja tjetër, isha vetëm 23 vjeç dhe
përballë shihja një tynel të errët që po na gllabëronte. Nuk
pata kurajo të shkoja drejt e në shtëpi, nuk i thosha dot Kujtimit
se çfarë e priste, as si u zhvillua biseda, për më tepër kur
mendoja se me sa siguri në vetvete shkova në atë takim. U enda
rrugëve të Tiranës gjatë, pa guxuar t´i afrohesha shtëpisë, sa
avitesha aty, përsëri kthehesha, që t´i jepja mundësi vetes të
qetësohesha në mënyrë që kur të shkoja, mos të më kuptonin se
si ishte puna.
Kur u ktheva, Kujtimi po
më priste i alarmuar për vonesën e tejzgjatur. Nuk më pyeti si
shkoi takimi, nuk më tha si të priti, nuk më tha, pse u vonove. E
kuptoi gjithçka dhe nuk deshi të më lëndonte më tepër. Më
mbajti të përqafuar gjatë, pa folur, vetëm mërmëriste me vete:
Nuk duhej të kishe shkuar, këto punë s´janë për ty. Pas kësaj, periudha në
vazhdim ishte e pashpresë për të ndryshuar situatën, ajo vetëm
përkeqësohej duke u rënduar më tepër. Mua po më shikonin si
prenë që po i avitej dita e goditjes. Kudo më drejtohej pyetja: Po ti, si do të bësh?! E
vetmja gjë, që nuk e mendoja kurrë se do të ndodhte, ishte
ndarja. Presionet ishin nga më të ndryshmit, nga më të frikëshmit
për të nesërmen që më priste mua dhe familjen time. Ika nga
shtëpia, pa thënë asnjë fjalë, nuk kisha kurajo të thosha
asgjë. Vetëm ika me vajzën 12 muajshe në duar duke lënë zemrën
mbrapa. Ajo mbeti aty, në atë shtëpi, tek Kujtimi. Ishte një
gjëmë e pakrahasueshme, që mbeti e gjallë gjatë gjithë jetës
sime. Nga më njerëzoret, më
të bukurat e më me vlerë. Unë e ushqeva me dashuri, me respekt
dhe adhurim për të atin. Ani ishte i vetmi person me të cilin unë
flisja lirshëm dhe pa pasur frikë, me askënd tjetër nuk kam
folur, asnjëherë. Teksa flisja me të, çlirohesha, çmallesha dhe
i tregoja vazhdimisht me imtësi se kush ishte babai i saj,
ç´personalitet mbartte në vetvete dhe si vlerësohej nga të
gjithë ata që e njihnin e që, nuk ishin të paktë.
Ajo nuk pati fatin ta
njihte në shkëlqimin e tij, por u rrit duke u mëkuar me të
vërtetat për të, duke qënë përherë pranë tij, duke dëgjuar
dhimbshëm për jetën e nëpërkëmbur të të atit. Ajo e adhuronte
të atin, ai u bë krenaria e saj dhe unë ndihesha e plotësuar që
ia arrita t´i përcjell Anit atë, që ajo duhej ta kish përjetuar
në një jetë normale, në një familje të plotë e pa drama
vrastare. Lidhja midis tyre ka qënë e gjitha dashuri, dhimbje dhe
krenari, ajo për të atin, ai për të bijën që shihte se si
rritej e maturohej para syve të tij. Në shumë drejtime ajo
është kopje e Kujtimit. Është artiste në shpirt e në jetë,
është vajzë me karakter të fortë, i buron natyrshëm mirësia
dhe përkushtimi për të tjerët…është modeli i të atit! Ajo ditë ka qënë një
gjëmë e vërtetë, erdhi si një ortek dhimbjeje, që më goditi në
gjithë qënien time e sado vite të kalojnë, sa herë e sjell
ndërmend, orteku vetëm rritet. Ka qënë 7 korrik 1987 dhe unë po
prisja të kthehej Ani nga shtëpia e Kujtimit. Dera trokiti dhe u
shfaq Ani me një grua, që i qëndronte pranë. Ajo ishte
krejtësisht e shpërfytyruar, m´u hodh në krahë dhe vetëm mundi
të më thoshte: Vdiq babi!!!! Ka qënë lajmi më i
rëndë, më i papritur e më dërrmues i gjithë jetës sime.
Përherë kisha një shkëndijë drite, që një ditë do të ishim
përsëri pranë njëri tjetrit, kjo mandatë, i groposi të gjitha
përfundimisht. Brenda qënies sime Kujtim Spahivogli mbetet burri i
ëndrrës, burri i jetës, modeli i përkryer, që pata fatin ta
prekja, t´i qëndroja pranë, t´i jepja dhe të merrja dashuri të
pafundme. Ani është jo vetëm bija ime, por shumë e shumë më
tepër se sa kaq. Ajo është shoqja dhe mikja më e mirë, është
krijesa më e dhimbsur dhe më e përkushtuar që do të ëndërronte
të kishte një nënë. Unë e kam këtë mrekulli dhe kjo quhet Ani
Spahivogli. Pas përfundimit të studimeve të larta në Akademinë e
Arteve të Bukura në Budapest, ajo jeton në Gjermani dhe ka një
djalë të cilit i ka vënë emrin Tim, në kujtim të të atit. Unë
shkoj shpesh pranë tyre, por edhe ata vinë këtu , se ajo është
përherë e përmalluar për vendin e saj. Ani është në pozicionin
e piktores grafiste në një kompani prestigjioze që quhet “Gold
Buch” dhe ndihet mjaft e vlerësuar për punën që bën. Unë jam
nëna e saj dhe nuk mund të flas për virtytet që mbart Ani, por
mund të them vetëm një të vërtetë: Ajo është mishërimi më i
plotë i natyrës fisnike që kishte i ati.
Nga Gazeta "Telegraf"
Nga Gazeta "Telegraf"
No comments:
Post a Comment