25 May 2016
Shqiptaret shtrengojne rrypin ne Greqi
Emigrantët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi
pritet të ndiejnë vështirësi të reja ekonomike dhe financiare prej paketës së re të masave që u votuan nga Parlamenti Grek pak
ditë më parë. Artikujt më të domosdoshëm për jetesën pritet të shtrenjtohen pas
rritjes së taksave për artikujt e
konsumit të përditshëm. Sipas vendimit të Parlamentit grek që nga data 1
qershor 2016, rritet me një përqind Tatimi mbi Vlerën e Shtuar duke shkuar nga 23% në 24%. Prej 1 qershorit do të rritet edhe taksa e automjeteve. Ndërkaq disa rritje taksash parashikohen të nisin efektet më 1 tetor kohë kur do të rritet edhe taksa e
posaçme e konsumit të naftës për ngrohje. Sipas shtypit që del në gjuhën shqipe në Athinë vitin e ardhshëm priten taksime të reja si ato për cigaret elektronike, për kafen, për televizionin kabllor, për telefoninë fikse dhe internetin. Rritje pësojnë edhe taksat e
konsumit për gazin, benzinën pa plumb dhe naftën për automjetet. “Lajmet nuk
janë aspak të mira edhe për pronarët e pasurive të patundshme” , shkruan “Gazeta
Tribuna”. Sipas saj, me ligjin e ri shumë prej pronarëve do të paguajnë madje edhe tri herë më shumë
taksë, në krahasim me vitin 2015. Masat e reja shtrënguese të qeverisë greke parashikojnë
kursime me vlerë 1,8 miliardë euro, dhe krahas rritjes së taksave parashikojnë dhe krijimin e një fondi për privatizimet. Masat erdhen si
kërkesë e kreditorëve ndërkombëtarë me
qëllim dhënien e një kësti tjetër të kredisë prej 86 miliardë eurosh që iu akordua
Greqisë me paketën e tretë të shpëtimit, vitin e shkuar. Emigrantët
shqiptarë përbëjnë pjesën dërmuese të të huajve në Greqi dhe
vitet e fundit po përballojnë vështirësi
nga efektet e krizës ekonomike dhe financiare. Sipas Ministrisë së Brendshme greke vlerësohet se rreth 384.000 shqiptarë
kanë përfituar Lejet e Qëndrimit nga rreth 553.000 emigrantë
të huaj që ndodhen gjithësejt në Greqi. Në numrin e
përgjithshëm të shqiptarëve përfshihen edhe rreth 43 .000 emigrantë që kanë përfituar shtetësinë greke.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment