Video-Reportazh
Që nga Malet e Pindit në Greqi e deri në
grykëderdhjen e saj në ujrat e Adriatikut Vjosa rrjedh për afro 272 kilometër e
pandërprerë nga ndërhyrjet njerëzore në qindra e mijëra vjet. Lumi i këngëve,l
egjendave,derteve dhe gëzimeve është në zemrën e njerëzve. Kanione të thellë,
rrjedha të rrëmbyeshme, brigje të virgjëra, ura historike, shpella e burime
karstike përzihen me peisazhe mahnitëse.
Në këtë rrjedhë të lirë nga burimi në det Vjosa ofron jetë edhe për shumë
gjallesa ujore dhe si e tillë është
e vetmja mundësi në mbarë kontinentin e vjetër edhe për kërkime shkencore
lumore. Por këmbanat e rrezikut po bien edhe për Vjosën. Diga të larta që do të
sjellin përmbytje tokash, kanalizime dhe betonime kërcënojnë që këto ujra të
pastra dhe të freskëta të futen në tunele me pasoja natyrore dhe biologjike.
Ndërhyrjet ndërtimore
rrezikojnë këtë lumë të egër të Europës dhe ekosistemin e tij dhe të nëndegëve që
nga Bënça dhe deri tek Langarica e Hotova. Në Langaricë një vepër hidrike ka
përfunduar ndërsa tre të tjera janë në punime, në Bënçë punimet për një HEC të vogël janë ndërprerë,
në Nivicë u është hapur drita jeshile nga autoritetet firmave të nisin punën për një HEC tjetër. Por
pas digës së Kalivacit lajmi më i keq i këtij viti për Vjosën ishte se një digë tjetër u dha me
koncesion ajo e
Hidrocentralit të Pocemit. Nga premtimet qeveritare për Park Kombëtar
diskutimet zbritën në mbrojtjen e pjesës malore të Vjosës e cila për
specialistët është e pakuptimtë pasi edhe pjesa fushore dhe grykëderdhja janë
po aq të rëndësishme për ekosisemin e virgjër të këtij lumi. Si mjedisorët dhe
studiuesit e Biologët këmbëngulin se Vjosa duhet shpallur Park një Park
ndër-rajonal kufitar. Në anën greke lumi i Vjosës rrjedh brenda Parkut Kombëtar
Vikos-Aos që nga lindja
poshtë këmbëve të Pindit deri në Carshovë ku hyn në pjesën shqiptare. Por edhe
në anën greke të ujëmbledhësit, mjedisorët janë në pëprlasje me planet që
parashikojnë ndërtimin e 6
digave të reja dhe zhvendosejen e një sasie të madhe uji drejt Liqenit të
Janinës . Në anen shqiptare janë planifikuar 8 diga në
rrjedhën kryesore, ndërsa 23 HEC-et e tjera janë projektuar në degët e tij, 4
nga të cilat kanë përfunduar tashmë, ndërsa 4 të tjerë janë në ndërtim. HEC i
Poçemit është diga e dytë pas Kalivaçit e aprovuar nga qeveria shqiptare në
rrjedhën kryesore të Vjosës .
Lakmitë dhe reagimet
Lakmitë për Hidrocentrale nisën me digën në Kalivaç e cila edhe
pas 10 vitesh nuk ka mundur të lidhë dy brigjet dhe sot punimet janë braktisur. Ulrich
Eichelman, koordinator i fushatës “Të Shpëtojmë Zemrën Blu të Europës” u tha
banorëve të anës Vjosës se nëse Kalivaçi do të ndërtohej gjithë ajo zonë do të
përmbytej. Për njeriun që u dashurua me lumin e kristaltë, sa e pa për herë të
pare, Vjosa simbolizon aktualisht çështjen më të nxehtë të kërcënimit të
natyrës në Europë Me një breshkë në dorë Ulrich u tha banorëve të Anës-Vjosës se edhe ajo breshkë e zgjuar ishte
kundër digave..Pas digës së Kalivacit, pak kilometër më poshtë në Poçem po bëhet gati të ngrihet një tjetër digë
25 metër e lartë që pritet të përmbytë dhe të shkatërrojë peisazhet e magjishme
të zonës. Qeveria e kryeministrit Rama dha pak kohë më parë koncesionin për Hidrocentralin e Poçemit, i cili është një nga 8
HEC-et e planifikuara në Vjosë nga qeveritë e mëparshme. Vetë Rama gati dy vjet më parë kishte premtuar
që qeveria do t’i ndalonte planet për hidrocentrale në lumin Vjosë duke e
orientuar ekonominë e zonës nga turizmi familjar dhe duke e shpallur luginën Park
Kombëtar. Atëherë Kryeministri kishte folur “për frenim të barbarizimi nga hidrocentralet dhe
zhvillim të turizmi, ekonomisë, bujqësisë, dhe fuqizimit të ekonomisë familjare”. “Do
transformojmë luginën e Vjosës në një park kombëtar duke rritur numrin e
vizitorëve në këtë park të madh të Vjosës”, kishte pohuar Rama. Por Mihela
Hladin nga kompania e
përbotshme e sporteve të aventurës “Patagonia” nuk mendon se hidrocentralet do
lejojnë turizëm. “Klientët tanë,
thotë ajo, do të ishin të gatshëm të paguanin shumë para që të vinin Anës Vjosës për ta shijuar këtë natyrë. “Shumë,
pak njerëz, apo asnjë s`do vinte këtu për ta parë një digë”, thotë Mihela. “Vjosën nuk duhet ta
lini të vdesë, Vjosa është e juaja” , u tha ajo banorëve. Edhe Gabriel Schwaderer,
drejtor i EuroNatur, që është në krye të fushatës “Të Shpëtojmë Zemrën Blu të
Europës” paralajmëroi qeverinë shqiptare se nuk mundet njëkohësisht ta ruajë të
paprekur lumin e Vjosës dhe të lejojë nga ana tjeter ndërtimin e
hidrocentraleve.“O Poçemi, o natyra! “Jo digës” , e përfundoi mesazhin e
tij. Nëse hidrocentralet
ngrihen,dhjetëra hektarë tokë do të përmbyten dhe banorët e këtyre zonave do
ta kenë të vështirë të mbajnë frymën e familjeve të tyre. Nënkryetari i
Bashkisë së Mallakastrës i kujton kryeministrit Rama premtimet.
Banorët që kanë zbritur nga Kuta dhe fshatrat e zonës thërrasin njëzëri: Jo
diga… Jo Poçemit! Edhe Vera Bekteshi,
një specialist me shumë përvojë, që sot është kthyer në një aktiviste për
mbrojtjen e Vjosës , thotë se eshte dhene konçesioni për Hidrocentralin e
Pocemit pa u bere studimi i ndikimit në mjedis. Arta Dade, deputete e
Parlamentit shqiptar tha se ishte krenare qe ishte pjesë e miqve te Vjosës. Deputetja e
mazhorancës i kërkoi kryeministrit Rama të ketë në vëmendje interesat e qyetatarëve
dhe të nxitet për nga zhvillimi i qëndrueshëm. Ndërsa oratorët flasin buzë
lumit banorët e njohur për shpirtin e Polifonisë
evokojnë trimëritë e zonës që nuk iu nështruan në shekuj lakmive. Historitë e
Tafil Buzit që tundi perandorinë, Selam Musait që u valvit me gunen në Kaninë, por
edhe Ali Pashë Tepelenës që dhe varrin e tij se bëri dot pronë, përcillen në këngë
për brezat që vijnë. “Ku
ngriti kampin Helena /Për të mbrojtur Argjironë /Ku u rrit Ali Tepelena/Një varr se bëri dot
prone!”. Nën ison e djemve një
këngëtari i njohur i
polifonisë labe, Golik Jaupi, i cili jeton në Bënçë e vërshon këngën si ujrat e lumit.
Goliku i është bashkuar me zemër lëvizjes për të mbrojtur Vjosën, lumin e vetëm
të egër të Europës,
Me kajakë kundër hidrocentraleve: një
fushatë e rrallë dhe për Europën
Ndërtimi i digave mbi Vjosë kundërshtohet
me forcë nga organizatat mjedisore shqiptare dhe ndërkombëtare, të cilat kanë
arritur ta ndërkombëtarizojnë kauzën e tyre. Një atlet olimpik slloven Rok ,
Rozman ia ka dalë të
mbledhë së bashkë rreth 150
sportistë dhe aktivistë të mjedisit për të përshkuar në 35 ditë, 23 lumenj në
gjashtë shtete të ballkanit. Kajakistët
përshkojnë për gati në Shqipëri një javë Valbonën e rrezikuar, në Veri të
Shqipërisë, Osumin e kanioneve mahnitës, për të mbërritur në finale në Vjosë. 2700 hidrocentrale
janë parashikuar të ndërtohen që nga Sllovenia deri në Shqipëri dhe ky është
vetëm fillimi i reagimit. Turi në mbrojtje të lumenjve të Ballkanit me sportistë nga Shqipëria, Sllovenia, Greqia,
Italia, Gjermania, Austria, Hollanda nisi nga lumi Sava në Slloveni, arriti në brigjet e
vjosës dhe përfundoi në
dyert e qeverisë shqiptare në Tiranë që u rrrethua nga policë. “Peticionin
lundrues”, që iu dorëzua qeverisë ishte një kajak i blujtë si ujrat e Vjosës, i mbushur me rreth 1000 firma kundër ndërtimit të digave në
lumenjtë e Ballkanit”. “I dashur Edi Rama – ndaloni projektet e digave në Vjosë
dhe krijoni një Park Kombëtar për lumin e fundit të egër të Europës!” –
shkruhej në kajakun e nënshkruar por
as Kryeministri dhe asnjë përfaqësues
i qeverisë nuk doli për të marrë peticionin. dhe kajaku u vendos para kordonit
policor. Christoph Scheuermann nga Gjermania me kajaken e tij ka festuar ditëlindjen në brigjet
e Vjosës, ndërsa dikush me kajake ,dikush me dronë, dikush me foto e kamera e
ka bërë këtë tur pjesë të ndërgjegjësimit të gjithë Europës. Së bashku me ta
edhe shumë medja të njohura ndërkombëtare përcollën protestën për të mbrojtur zemrën blu të Europës. Besjana Guri, përfaqësuese e
“Eco Albania”, një organizatë mjedisore që lobon për ruajtjen e ekosistemit në
luginës së Vjosës tha se lëvizja e fuqishme për mbrojtjen e Lumenjve të
Ballkanit ishte e foksuar vecanësisht në vjosë. Nën sloganin “Të shpëtojmë
lumenjtë e Ballkanit – Stop cunamit të digave”, Turi i lumenjve të Ballkanit
synon të rrisë ndërgjegjësimin në lidhje me vlerat dhe kërcënimet me të cilët
ata ballafaqohen”, thotë Besiana. Edhe Martin Solar, drejtor i një tjetër
organizate, WWW Adria, që ka mbështetur turin e lumenjve të Ballkanit u shpreh
kundër ndërtimit të digave.
Vjosa, një cështje europiane
Parlamenti Europian ka miratuar deri tani
2 rezoluta për Shqipërinë
ku u bën thirrje autoriteteve për mbrojtjen e Lumenjve.Vetë Zv. Presidentja e këtij Parlamenti Ulrich Lunacek
zbriti në Vjosë për t`u bashkuar me protestuesit kundër digave. Zyrtarja
europiane veshi një kostum të Labërisë dhe mbajti në dorë trëndafilin e Anë
-Vjosës duke premtuar mbështetje dhe dashuri për këtë lidhje të re të saj me
shqiptarët. Zv. Presidentja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek tha se ai
trëndafil nuk do rritej më anës Vjosës nëse do ndërtohej diga. Duke sjellë të
njëjtin rast rreziku nga Digat në Danub vite më parë, austriakja Lunacek tha se
atëherë beteja ishte fituar nga mjedisorët. Zonja Lunaçek që kishte vizituar
Beogradin, ishte në Shqipëri dhe më pas do shkonte në Mal të Zi tha se “është koha që i gjithë
Ballkani të punojë së bashku për një strategji të përbashkët energjetike, në
mënyrë që vendet të mos veprojnë të veçuara”. Anës Vjosës, ajo përsëriti më me
forcë rezolutën e fundit të Parlamentit Europian dhe i kërkoi qeverisë
shqiptare të kryejë
Studimin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis përpara se të japë leje për
hidrocentrale. “Qeveria duhet të mendojë të reduktojë humbjet në energji që me
sa jam informuar janë 50% dhe pastaj për diga”, tha prerë zyrtarja e
Parlamentit Europian. Ajo tha se këto mesazhe do t`ia përcillte edhe
Kryeministrit Rama në
takimin e parashikuar me të. “Vjosa është shembulli ku duhet të shohim të
bukurën e natyrës dhe t’u themi jo digave,”-tha zv.presidentja e Parlamentit
Europian. Zonja Lunacek u bëri thirje autoriteteve shqiptare të shihin
energjitë alternative për zhvillimin e vendit. Vetëm pas viteve 2007 Shqipëria dha me koncesion mbi 520 HEC-e,
80 prej të cilave ose brenda
zonave të mbrojtura ose pjesë e ndërlidhur e tyre. Në Veri të Shqipërisë sot protestohet për HEC-et në Parqet
e Valbonës, të Lurës e të
Thethit, ndërsa në jug për Hecet e
parashikuar në Parkun e Hotovës dhe në Luginën e Vjosës. Përmes një rezolute të
aprovuar në 22 Prill të vitit 2015, eurodeputetët i kërkuan Shqipërisë “t’i rishikoi planet për të
ndërtuar hidrocentrale në Lumin Vjosë dhe degët e tij, për shkak se ato do të
dëmtonin një nga ekosistemet e fundit të paprekura në Europë.” Një vit më
vonë më 15 Prill 2016, Parlamenti Europian në një Rezolutë tjetër i bën thirrje
Qeverisë Shqiptare të kontrollojë zhvillimin e hidrocentraleve në zonat e
ndjeshme mjedisore si në Lumin Vjosa ashtu dhe në zonat e mbrojtura për të
ruajtur integritetin e parqeve kombëtare ekzistuese. Rezoluta rekomandon edhe
përmirësimin e cilësisë së Raporteve të Ndikimit në Mjedis, e cila do të
lejonte marrjen në konsideratë të standardeve të BE që përcaktohen në Direktivat
e Shpendëve dhe Habitateve si dhe nga Direktiva Kuadër e Ujit. Parlamenti
Europian përmes rezolutës e inkurajon gjithashtu Qeverinë Shqiptare të rrisë
transparencën përmes pjesëmarrjes publike dhe e nxit per konsultime për
projektet e planifikuara.
Cunami i HECEve ka nisur. Mjedisorët dhe
miqte e vjoses nuk kanë rrugë tjetër ti përgjigjen vetëm me protesta duke
e bërë çështjen e mbrojtes së lumenjve shqiptarë nga ndërtimi i HEC-eve një çështje
europiane.
Për sot dhe për të ardhmen e fëmijëve të
tyre, për sot dhe për rrugën drejt Europës, zemra e tyre rreh me zemrën
blu të Vjosës…
Vjose , Maj 2016
* Video-Reportazhi do publikohet ne disa pjese ne:
- Blogun www. qeverisjehapur. com
- Faqen e Facebook Qeverisje E Hapur Vender
-Videoreportazhi do te jete ne pjese edhe ne You Tube
No comments:
Post a Comment