Nga Frank Shkreli
Pak kohë më parë, gazeta e Tiranës
Telegraf njoftonte për gjëndjen e mjeruar të shtëpisë ku ka jetuar poeti
kombëtar At Gjergj Fishta, duke thënë se vetëm disa ditë para 144 vjetorit
të ditlëlindjes së Fishtës më 23 tetor, janë disa foto të hedhura në facebook
që na kujtojnë gjëndjen e mjerueshme të shtëpisë ku ka banuar poeti dhe
rilindasi shqiptar. Gazeta vazhdon duke theksuar se ndonëse busti i
Fishtës ndodhet përpara shtëpisë, mbrenda saj është një gjëndje me të vërtetë e
mjerueshme dhe për të ardhur keq, ndërkohë që dhomat e shtëpisë janë
kthyer në magazinë për kallamishtët e misrit, shkruante gazeta
Telegraf. Nuk është hera e parë që shtëpia, në rrënim e sipër, ku ka
banuar At Gjergj Fishta bie në sytë e medias dhe të publikut.
Tetorin e vitit të kaluar biznismeni nga Kosova Sabri Maxhuni u kishte
propozuar autoriteteve qëndrore në Tiranë dhe administratës vendore në Shkodër
restaurimin e shtëpisë, duke ofruar që shpenzimet për restaurimin e banesës së
atit të letrave shqipe t'i merrte ai vet përsipër, ndërsa kishte
deklaruar se projektin për një nismë të tillë e kishte gati, duke u shprehur se
do i kushtohej vëmendja më e madhe rujatjes së orgjinalitetit të shtëpisë.
Në atë kohë Z. Maxhuni kishte deklaruar për median se nuk duhej të
përballej me ndonjë pengesë për miratimin e këtij projekti, por duket se e
kundërta ka ndodhur, pasi ka kaluar më shumë se një vit dhe asgjë nuk ka
ndodhur, madje as ndonjë prononcim nga autoritetet, në favor ose kundër.
Sipas lajmeve të asaj kohe, Sabri Maxhuni nuk kishte marrë asnjë
përgjigje nga Ministria e Kulturës në Tiranë dhe as nga Drejtoria Rajonale e
Kulturës Kombëtare në Shkodër. Në të vërtetë, ai kishte paralajmëruar se
autoritetet shqiptare mund t’i qisnin probleme, ndërsa pat deklaruar se, “Kam
bindjen se askush nuk ka arsye që të bëhet pengesë për restaurimin e shtëpisë”,
së At Gjergj Fishtës. Por Sabri Maxhuni megjithë vullnetin e tij të mirë, ai
nuk mundi të përballonte burokracinë anti-fishtjane të Shqipërisë
post-komuniste.
Për arsye të mungesës së transparencës nga
autoritetet, është e pamundur të thuhet se çfarë komunikimesh mund të ketë
pasur midis Sabri Maxhunit dhe autoriteteve përkatëse shqiptare në lidhje me
këtë projekt dhe se ku mund të qëndrojë problem. Por ajo që duket e qartë sot,
sipas lajmeve në median shqiptare, del se asgjë nuk është bërë në këtë drejtim,
gjatë vitit të kaluar. Përkundrazi, ajo që është e qartë, është se përveç
mungesës së vullnetit të mirë zyrtar për ta restauruar shtëpinë e Gjergj
Fishtes, ajo banesë në të vërtetë po denigrohet, duke u këthyer në një magazinë
për kallamishtët e misrit. Vendi ka përvojë 50-vjeçare nën komunizëm për
të këthyer monumentet dhe qëndrat e kulturës shqiptare në magazina dhe salla
sporti e për kallamishte misri! Mos prononcimi i deritanishëm zyrtar në
lidhje me banesën e At Gjergj Fishtës, në të vërtetë, tregon mos interesim dhe
heshtje arrogante të autoriteteve për këtë projekt. Si e tillë, nuk mund të
cilësohet më thjeshtë si një zvarritje burokrate ndaj kësaj
çështjeje. Kjo tregon një mos respekt të theksuar dhe të kalkuluar mirë
nga autoritetet shtetërore, ndaj Homerit shqiptar, At Gjergj Fishtës dhe
veprës së tij me vlera kombëtare, në një kohë kur në midis të Tiranës ndërtohet
një bunker, gjoja për t’i kujtuar brezave të ardhëshëm kohën e komunizmit,
ndërkohë që anë e mbanë Shqipërisë ka ende me mijëra bunkere të asaj kohe.
Bunkerat, këto simbole të izolimit të Shqipërisë dhe të një politike
absurde të udhëheqjes së saj komuniste, gjoja për t’u mbrojtur nga armiqë
që nuk ekzistonin! Megjithë absurditetin e shpenzimeve për ndërtimin e
një bunkeri mu në qëndër të Tiranës, është e vërtetë se shteti nuk mund
dhe nuk duhet të financojë lloj projektesh, por ama janë disa projekte dhe
figura të historisë kombëtare që duhet të kujtohen dhe vlera e veprave dhe
kontributi historik i tyre të përjetësohen për brezat e ardhëshëm të
shqiptarëve por edhe si pasurim i historisë dhe kulturës shqiptare edhe për të
tjerët. Një i tillë është dhe duhet të jetë At Gjergj Fishta, në mirënjohje
ndaj tij dhe në kujtim të kontributit historik kombëtar në përgjithësi,
të alfabetit të gjuhës shqipe dhe të veprave të shumëta letrare e
sidomos të epopesë kombëtare, Lahutës së Malësisë: të kësaj kënge,
që sipas At Daniel Gjeçajt, “Ashtë kanga që të ban të thithish ajrin e kulluet
të maleve arbnore, gjithmonë të lira. Ashtë gurra që rrjedhë nga dejtë e
tokës sonë e që kurrë nuk shterret, sado llagemi a tërmeti të trondisë në themel
alpet e mjelluna me kulla-shkamb të Shqiptarit”. Për më tepër, At Daniel
Gjecaj ka shkruar në parathanjën e Lahutës së Malësisë të cilë ai e kishte
botuar në Romë më 1958 se kjo vepër e At Gjergj Fishtës, është një thesar i
vlerave stërgjyshore të kombit shqiptar, është terësia e tipareve morale të
shqiptarit, të cilat janë çmuar dhe çmohen nga bota. “Ashtë shkolla e
votrës gjyshore, ku rreth zjarmit mikpritës u ruajt, deri më sot nderi,
burrënia e virtyti, besa, trimënia, dashunia për vatan, shpirtmadhësia dalluese
e racës , bujaria, ideali i pazhigla e i prem: me nji fjalë, bërthama e thelbi
i nji kombi që s’vdes derisa “Lahuta” të këndohet, e të ndiqet si
shembull heroizmi i Oso Kukës, vendosmënia e Ali Pashës, bashkimi i
Lidhjes së Prizrenit, trimënia e Dragonjve legjendarë në Bigë të Shalës,
fëtyrat historike në Rrzhanicë, Qaf-Hardhi, Sutjeskë e Deçiq, dashunia e
vetmohimi i Patër Gjonit, guximi e burrnia e Dedë Gjo’ Lulit, fisnikëria e
virtyti mashkulluer i Tringës”, shkruante At Daniel Gjeçaj në paraqitjen e
botimit të Lahutës më 1958 në Romë. Fatkeqësia -- që ka pësuar gjatë
shekullit të kaluar dhe vazhdon të pësojë edhe sot At Gjergj Fishta -- është se
ai po vazhdon të injorohet madje edhe sot në Shqipërinë post-komuniste, ashtu
siç qe përjashtuar ai dhe vepra e tij nga regjimi komunist për një gjysëm
shekulli. Nga vet kombi i vet të cilit gjithë jetën u përpoq t’ia mbronte
të drejtat dhe interesat e tij në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare, por mbit
të gjitha, t’i ruante ato dhe në veprat e tija të pavdekshme të
përjetësonte vlerat kombëtare të fisit të shqiptarit.Megjithkëtë, kundër At
Gjergj Fishtës dhe veprës së tij vazhdon “përdhunimi historik”, harresa dhe
denigrimi, nga një grup siç duket gjithnjë me influence në vendimarrje të
tilla, nga një grup historianësh politikë të idoktrinuar, të cilët gjithnjë i
referohen Homerit të Shqiptarëve me epitet më fyese si si “fashist” e
“tradhëtar’’. Është e pafalshme heshtja arrogante e autoriteteve
shqiptare në lidhje me këtë çështje. Kjo heshtje nuk është e denjë për një
shtet si Shqipëria, vend kandidat për antarësim në Bashkimin Europian – dhe nuk
çon aspak ujë në mullirin e dobisë së interesave kombëtare – të një familjeje
të madhe trako-ilire, një familje kjo sipas At Gjergj Fishtës, “në namë e në za
në histori të fiseve dhe të kombeve”. Fishta i kishte thënë Konferencës së
Parisit se nga kjo familje rrjedhë kombi i sotëm shqiptar, “aq pak i
njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë”. Ndonëse, At Gjergj Fishta, gjithë jetën
mbrojti të drejtat dhe vlerat e shqiptarit që historikisht gjykohej aq zi në
Europë dhe nga armiqët e tij për rreth, lind pyetja se kush do të dalë
sot zot e të mbrojë Gjergj Fishtën dhe trashëgiminë e tij nga harresa,
denigrimi dhe “përdhunimi historik” nga vet populli tij, zakonet, tiparet dhe
vlerat e të cilit ai i përjetësoi, i bëri të pavdekshme! Kujtimi, vepra dhe
kontributi i At Gjergj Fishtës në historinë, kulturën dhe letërsinë shqipe
duhet të ruhen dhe të kultivohen, sepse kështu do të ruhen vetë vlerat
shekullore të shqiptarëve. Vlerat e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar –
simbol i të cilave ishte Fishta duhet të shpëtohen nepërmjet kujtesës së
trashëgimisë së At Gjergj Fishtës, vlera të cilat ai i përjetësoi në vargjet e
pavdekshme të Lahutës së Malëcisë dhe veprave të tjera. Restaurimi i
banesës ku ka jetuar At Gjergj Fishta do të ishte një hap i nevojshëm në këtë
drejtim. Fatkeqsia është se ushtarët e lodhur dhe mbështetsit në këtë
përpjekje -- janë të pakët në numër -- për të mos thënë në zhdukje e sipër, e
me ta edhe kujtesa ndaj poetit kombëtar, At Gjergj Fishta.
No comments:
Post a Comment